Kaltrina Zekolli-Shaqiri reagon ndaj kritikave për pasurinë: Është fituar përmes procedurave të trashëgimisë, nuk ka lidhje me politikën
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri ka reaguar ndaj kritikave dhe sulmeve lidhur me pasurinë e saj, duke theksuar se ajo nuk është krijuar përmes politikës apo pozitave institucionale, por është fituar në mënyrë të ligjshme përmes procedurave të trashëgimisë.
Në reagimin e saj, Zekolli Shaqiri e cilësoi të padrejtë sulmin ndaj pasurisë personale, duke theksuar se e gjithë pasuria është deklaruar publikisht dhe është paraqitur pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
“Është e ulët dhe e padrejtë që të sulmohem për pasurinë time, e cila nuk është krijuar në politikë, nuk është fituar nga pozita dhe nuk ka asnjë lidhje me funksionin që ushtroj sot”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar se pasuria e saj është krijuar shumë kohë përpara se të merrte ndonjë përgjegjësi ekzekutive dhe se është e gatshme të dëshmojë e dokumentojë çdo gjë që posedon.“Gjithçka që kam, e kam deklaruar publikisht dhe e kam paraqitur pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Asgjë nuk kam fshehur, asgjë nuk kam lënë pa deklaruar. Pasuria ime është fituar në mënyrë të ligjshme, përmes procedurave të trashëgimisë”, thuhet në reagimin e saj.
Zekolli Shaqiri ka shprehur keqardhje që, sipas saj, në vend të diskutimeve për punën dhe rezultatet institucionale, po zgjidhen sulmet personale.
“Më vjen keq që në vend të debatit për punën, rezultatet dhe përgjegjësitë institucionale, zgjidhet rruga e sulmeve personale. Por e vërteta nuk ndryshon nga zhurma dhe as nga shpifjet”, ka theksuar ajo.
Në fund, ajo ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj me përkushtim, duke theksuar se puna, integriteti dhe rezultatet janë përgjigjja më e mirë ndaj kritikave.