Kampionatet e Shqipërisë dhe Kosovës, më të fortë se “MLS” e Lionel Messit
Çdo vit dhe pa ndërprerje që nga viti 1991, IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit) harton një listë me 100 ligat më të mira në botë. Serie A ka rifituar vendin e parë, pasi e humbi atë më 2021, ndërsa La Liga mbetet në vendin e tretë. Ndërkohë, “Brasileirao” ka rënë nga podiumi.
Surpriza e madhe këtë vit?
“Major League Soccer” (MLS) ka rënë në vitin që ylli argjentinas, Lionel Messi, zbarkoi atje. Një vit më parë, kur kjo renditje u bë publike, me numrat që i referoheshin vitit 2022, MLS ishte në vendin e 43-të (338 pikë). Tani, ajo është e 63-ta (319.5 pikë).
Eksodi i pandalshëm i lojtarëve që kanë zbritur në Ligën Pro Saudite ka lejuar që ky kampionat ta ngrejë nivelin e tij dhe të arrijë në vendin e 33-të me 479.5 pikë. Një vit më parë, sauditët ishin në vendin e 40-të.
Rasti i Ishujve Faroe ka një shpjegim aq të thjeshtë, sa puna e madhe e Klaksvik në Ligën e Konferencës. Për herë të parë në histori, një skuadër e këtij vendi arriti të kualifikohej në garat evropiane dhe përveç kësaj, fitoi një ndeshje kundër Olimpija Ljubljana (3-0).
Qiproja, kombëtarja e së cilës është në vendin e 125-të në renditjen e FIFA-s, e ka renditur kampionatin e vet në vendin e 32-të me 482 pikë. Një shembull tjetër befasues është ai i Kosovës, kombëtarja e së cilës renditet në vendin e 101-të në renditjen e FIFA-s, ndërsa “ALBI MALL Superliga” e saj është e 43-ta globalisht, sipas IFFHS.
Përveç kësaj, Bullgaria, Peruja, Azerbajxhani, Shqipëria, Armenia, Estonia dhe Bolivia janë disa nga vendet, ligat lokale të të cilave kanë marrë gjithashtu një rezultat më të lartë se MLS.