
Kanelo Alvarez mbron titullin në sfidën me amerikanin Berlanga
Boksieri meksikan Saul Kanelo Alvarez mbrojti titujt kampionë bote në peshën super të mesme, duke fituar me vendim unanim ndaj amerikanin Edgar Berlanga. 34-vjecari meksikan mbetet kështu kampion i padiskutueshëm i kësaj kategorie peshe.
Berlanga, që vinte si i pamposhtur në këte sfidë (humbja e parë pas 22 fitoresh), synonte të rrëzonte nga froni legjendën meksikane, por pa sukses. Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Alvarez (118-109, 118-109 dhe 117-110).
Amerikani nuk bëri mjaftueshëm në ring për të fituar, duke u detyruar të pranojë humbjen. Sfida zhvilluar në Las Vegas u dominua nga Kanelo Alvarez, përvoja e të cilit bëri diferencën ndaj një rivali aspak të lehtë.
Madje në raundet e para ishte Kanelo Alvarez ai që hodhi në tapet Berlanga, që ringrihet në këmbë dhe reziston deri në fund. Meksikani ka një rekord prej 62 fitoresh, 2 humbjesh e 2 barazimesh në karrierë, një boksier që ka shkruar historinë.