
Kapiten Meçollari: Kosova dhe Shqipëria duhet të përgatiten për skenarin më të keq të mundshëm
AA
Në një intervistë për “Bota sot”, Kapiteni i rangut të parë, Artur Meçollari ka folur mbi sigurinë dhe bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.
Sa i përket rrezikut rus në rajon, ai thotë se Rusia nuk mund ta bëjë këtë pa ndihmën e Serbisë duke e ditur se Serbia aleatin më të fortë e ka Rusinë.
Sipas tij “rritja dhe modernizimi i fuqisë ushtarake të Serbisë, përtej nevojave të një shteti “neutral”, tregon se si Serbia ka çbalancuar dhe kërcënuar sigurinë ballkanike”.
Bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë më fushën e sigurisë, Meçollari e sheh si shumë të mirë, duke thënë se Shqipëria nuk ka kërcënim nga ndonjë shtet i jashtëm, derisa siguria në Kosovë është e brishtë.
Sipas tij, politika e jashtme e Shqipërisë duhet të përfshijë në agjendën e saj interesat e Kosovës dhe marrëdhëniet që ka Shqipëria me Serbinë, dypalëshe dhe rajonale, duhet t’i ndërtojë vetëm mbi interesat e Kosovës.
Nga ana tjetër ai thotë se ndihet mungesa e një qasje të përbashkët ndaj sfidave rajonale, sepse palët kanë kuptimtë të ndryshime sa i përket kërcënimit të Serbisë.
“Serbia është aleat i përhershëm vetëm i Rusisë. Interesat e tyre përputhen plotësisht me Rusinë, pavarësisht politikave të Vuçiç për të krijuar imazhin e një shteti “neutral”, dhe të barazlarguar nga fuqitë e sotme globale. Rritja dhe modernizimi i fuqisë ushtarake të Serbisë, përtej nevojave të një shteti “neutral”, tregon se si Serbia ka çballancuar dhe kërcënuar sigurinë ballkanike. Nuk ka dyshim, se kapacitetet ushtarake të Serbisë duhen për të krijuar sot destabilitet në Ballkan dhe nesër, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, për të rritur influencën dhe rimarrë me forcë territoret e humbura në Ballkan, përfshirë dhe Kosovën.Sot Serbia, është fuqia kryesore rajonale që ka objektiva të qarta destabilizuese, në Kosovë, Bosnje dhe Hecergovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Shfrytëzimi i etnive serbe në këto shtete është mekanizmi që Serbia po aplikon, të kombinuar me metoda hibride dhe nën mbështetjen e fuqisë ushtarake. Kjo strategji do të vijojë nga ana e Serbisë, deri në ardhjen e momentit oportun për rikthimin e territoreve të të ashtuquajtur “bota serbe”. Vetëm një Rusi dhe Serbi e dobët, mund të krijojë paqe në Ballkan.”, është shprehur ai. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova duhet të përgatiten për skenarin më të keq të mundshëm.