Karriera dhe ndeshja e fundit e një “Ylli” si Toni Kroos!
Nuk ka fituar asnjë “Top të Artë” në karrierën e tij, por Toni Kroos do të mbahet mend gjithmonë si një nga futbollistët më të mirë që ka njohur historia. I pafund është rafti me trofe të mesfushorit gjerman, që në 17 vite në futbollin profesionist u dhuroi shumë jo vetëm klubeve ku ka luajtur, Bayern Munich, Bayer Leverkusen, por mbi të gjitha Real Madrid, e kombëtares së Gjermanisë, por edhe të gjithë tifozëve që e kanë ndjekur nga mbarë bota. Me 34 trofe të fituar, Kroos është futbollisti më i suksesshëm gjerman. I konsideruar si një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, ai njihet për vizionin e tij, pasimet, kreativitetin, krosimet dhe aftësinë e goditjes.
TËRHEQJA NGA FUTBOLLI
Futbollistët e mëdhenj të ditëve të sotme janë duke luajtur deri në të 40-at e tyre dhe ndoshta mund të jenë aktiv edhe për disa vite, sigurisht në Arabinë Saudite apo Amerikë, por Toni Kroos tregoi dhe njëherë tjetër, që për të çdo gjë ka kohën e vetë dhe në moshën 34-vjeçare, ylli gjerman vendosi që të “varë këpucët në gozhdë”.
E si më mirë se me Kombëtaren e vendit të tij mund të mbyllej rrugëtimi për Kroos, që vendosi të rikthehet te skuadra e Gjermanisë në Kampionatin Europian 2024, pas tre vitesh, pasi ndeshja e fundit e mesfushorit gjerman me e ekipin e vendit të tij para rikthimit datonte me 29.06.2021, në humbjen 2-0 ndaj Anglisë në raundin e 1/8-ave të EURO 2020-ës dhe të ishin pikërisht ndeshjet me atë fanellë të fundit për këtë lojtar kaq të madh.
MEGJITHATË SI REZULTOI NDESHJA E FUNDIT E TONI KROOS?
Gjermani u mposht në çerekfinalet e EURO 2024 nga Spanja, me ndeshjen që në kohën e rregullt u mbyll me barazimin 1-1, por u fitua nga spanjollët me golin e dytë, që e shënuan në limitet e shtesës, më saktë në minutën e 119’. Që në nisje të këtij takimi, si rrallëherë Kroos u shfaq shumë i tensionuar dhe i “dhunshëm” në fushën e lojës, duke bërë ndërhyrje të rënda, nga njëra prej të cilave Pedri u detyrua të linte fushën e lojës. Ai u mundua që t’i jepte siguri ekipit të Gjermanisë, por mungesa e qetësisë që ai vet kishte, bëri që të shfaqej një tension në ekip, duke sjellë një përballje shumë të ashpër, por megjithatë në fund të fundit ndoshta ndeshjen më të luftuar të këtij europiani. Pas disa faulleve të shkaktuara, Toni Kroos nuk kishte si të shpëtonte nga kartoni i verdhë në minutën e 67’, me mesfushorin gjerman që në këtë përballje dha edhe “shpirtin”.
Ai luftoi për 120 minuta që të mos e mbyllte mbrëmjen e së premtes, 05 korrik 2024, karrierën e tij, por në fund Gjermania nuk ia doli dhe si pasojë edhe “SIPARI” i “EPOKËS TONI KROOS” u ul, me “YLLI” gjerman që mori pafund duartrokitje dhe brohorima nga të pranishmit në “MHP Arena” në Stuttgart.
Me një largim prej “HEROI” që u lë stafetën tashmë brezave të rinj, Toni Kroos i dha lamtumirën futbollit dhe adhuruesve të shumtë që e kanë ndjekur e mbështetur për vite me radhë.