Klinika e Fëmijëve ankohet për mungesë kuadri, Memedi: Nga 144 motra medicinale, 67 nuk mund të bëjnë kujdestari
“Klinika për Sëmundje të Fëmijëve po ballafaqohet me mungesë serioze të punëtorëve dhe po vihet në pikëpyetje organizimi i punës dhe i cilësisë së shërbimeve mjekësore për pacientët tanë”. Kështu alarmoi sot drejtor i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve Rexhep Memedi, pasi së fundmi rreth 50 të punësuar mbetën pa kontrata punë, të cilët edhe protestuan disa herë para institucioneve përkatëse.
Ai bëri me dije se pothuajse gjysa e motrave medicinale ose gjithësej 67 motra medicinale nuk mund të mbulojnë kudjestaritë dhe punën me turne. Ndërsa shtoi se momentalisht klinika nuk ka asnjë të punësuar me kontratë pune.
Rexhep Memedi, drejtor i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve
“Nga 144 motra medicinale që janë me vendime, 25 prej tyre janë të moshës mbi 60 vjeçare, që don të thotë këtë vit dhe vitin tjetër ata shkojnë në pension, 15 motra medicinale janë të moshës mbi 57 vjeçare dhe me ligj janë të lejuara nga kujdestaria, 11 motra medicinale punojnë me orar të shkurtuar me vendim nga institucionet përkatëse…16 motra medicinale mungojnë përshkak të pushimit të lehonisë”.
Mungesa e personelit bëri me dije se i ka detyruar ta mbyllin përkohësisht repartin e imunologjisë, gjegjësisht bashkimit të këtij reparti me pulmologjinë A, për ta tejkaluar këtë periudhë kur kanë mungesë të kuadrit.
Për 50 punëtorët e Klinikës që kanë mbetur pa punë dhe për të cilët ministrja e Financave tha se nuk jën personel mjekësor, drejtori informoi se prej tyre 23 janë personel mjekësor, 18 motra medicinale, 4 laborantë dhe 1 biolog.
Ai më tej theksoi se kërkesat për plotësimin e vendeve të punës Klinika i ka bërë në kohë dhe sipas ligjit. Klinika për Sëmundje të Fëmijëve theksoi si është niveli më i lartë i shëndetësisë pediatrike, ku përfundojnë pacientët me gjendjen më të rëndë klinike dhe sëmundjet më komplekse nga gjitha qytetet e vendit tonë dhe prandaj nuk guxojmë të lejojnë të bëhen improvizime.
Emine Ismaili /SHENJA/