
Komisioneri evropian i tronditur nga “Temu”: Ka produkte që janë të rrezikshme!
AA
Komisioneri për drejtësi i BE-së ka shprehur tronditje për shkak të toksicitetit dhe rreziqeve që paraqesin disa produkte të shitura nga platformat kineze të shitjes me pakicë “Shein” dhe “Temu”, në një kohë kur po rritet presioni ndaj këtyre platformave të njohura.
Sipas “The Guardian”, çdo ditë në BE hyjnë 12 milionë paketa me vlerë të ulët nga tregtarët online jashtë bllokut, dhe komisioneri Michael McGrath premtoi se do të veprojë kundër shitjes së produkteve që shkelin qartazi ligjin.
Ai është në pritje të rezultateve të një operacioni të fshehtë me blerës testues në të gjithë BE-në, me qëllim të vërtetimit të dyshimeve të mbledhura deri tani, që tregtarët kinezë po i anashkalojnë rregullat evropiane.
Ndër shembujt më shqetësues që përmendi McGrath janë biberonët për fëmijë të vegjël me rruaza që mund të shkëputen lehtë, duke përbërë rrezik mbytjeje, pasi nuk kanë hapje me madhësi të rregulluar që do t’i mundësonte foshnjës që ta mbante frymën nëse e gëlltit aksidentalisht.
Ndër produktet e tjera të rrezikshme të listuara nga eurodeputetët në një raport të publikuar këtë muaj janë:
• palltot për fëmijë me kimikate toksike,
• syze dielli pa filtër UV,
• dhe pantallona të shkurtra për fëmijë me rripa më të gjatë se sa lejon rregullorja, që rrezikojnë pengim dhe rënie.
Gjithashtu, u gjetën kozmetika që përmbajnë butilfenil metilpropional, i njohur edhe si Lilal, i cili nga BE-ja është klasifikuar si një kimikat me “shqetësim shumë të lartë” dhe i ndaluar që nga viti 2022 për shkak të ndikimit të mundshëm në pjellori dhe zhvillimin e fetusit. Vjet, qeveria britanike u kërkoi konsumatorëve të heqin çdo produkt që përmban këtë përbërës.
“Jam i tronditur nga kjo dhe mendoj se kemi detyrim të mbrojmë konsumatorët evropianë”, tha McGrath për The Guardian.
Autoritetet kombëtare për mbrojtjen e konsumatorëve po dërgojnë paralajmërime të shpejta nëpër BE për produktet jo-ushqimore të pasigurta, nëpërmjet shërbimit “Safety Gate”, që është gjithashtu i hapur për ankesa nga konsumatorët.
Vitin e kaluar, Safety Gate pranoi një numër rekord prej 4.137 paralajmërimesh, mbi një të tretën e të cilave kishin të bënin me kozmetikën, të ndjekura nga lodrat, pajisjet elektrike, automjetet dhe produktet kimike.
Ndërsa grupet e konsumatorëve janë të shqetësuara për sigurinë, McGrath u shpreh i brengosur edhe për faktin se platformat që janë bërë shumë popullore në dy vitet e fundit po dëmtojnë bizneset lokale përmes konkurrencës së pandershme.
“Rritja është e jashtëzakonshme dhe ka vënë një presion të madh mbi sistemet e vendeve anëtare”, tha ai.
“Jam i vendosur të forcojmë zbatimin e ligjeve tona për sigurinë e produkteve dhe rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve. Nuk është vetëm çështje e mbrojtjes së konsumatorit, por edhe e kushteve të barabarta për bizneset evropiane, të cilët duhet të konkurrojnë me shitës që nuk respektojnë rregullat tona”, shtoi ai.
“Ata mbajnë kosto të mëdha në Evropë për të përmbushur kërkesat tona dhe nuk duhet të pritet të garojnë me ata që nuk i përmbushin.”
Të dhënat e BE-së tregojnë se çdo ditë në bllok hyjnë 12 milionë artikuj me vlerë të ulët, që në total për vitin 2024 arrijnë në 4.6 miliardë paketa nën 150 euro – dyfish më shumë se në vitin 2023 dhe trefish më shumë se në 2022.
Ndër masat që BE po shqyrton është heqja e pragut të përjashtimit nga dogana për porositë nën 150 euro dhe vendosja e një tarife për përpunimin e çdo pakete, për të dekurajuar blerjet me vlerë të ulët dhe për të mbuluar kostot e hetimeve doganore.
Ky hap do të ishte i ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara, ku Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të hequr përjashtimin doganor deri në 800 dollarë, si pjesë e fushatës ndaj shitësve kinezë. Që nga 1 qershori i këtij viti, blerësit amerikanë duhet të paguajnë një taksë shtesë prej 30% ose minimumi 50 dollarë për çdo artikull.
Një tjetër opsion është krijimi i një autoriteti doganor në nivel BE për t’u përballur me problemet sistematike.
McGrath tha se “mbetet të shihet” nëse kjo çështje do të trajtohet në samitin BE-Kinë në Pekin më 25 korrik, por ai planifikon ta ngrejë drejtpërdrejt.
“Do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet kineze dhe do t’i vizitojmë më vonë gjatë këtij viti”, tha ai.
“Shein” i tha The Guardian se këtë vit ka investuar 15 milionë dollarë në iniciativa për përputhshmëri dhe siguri, përfshirë 2.5 milionë teste për cilësinë dhe sigurinë e produkteve, dhe ka partneritete me 15 qendra testimi, përfshirë operacione në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.
Kompania tha se ka larguar 500 furnizues që nga lansimi i platformës së saj.
Zëdhënësi i “Shein” deklaroi:
“Fitimi dhe ruajtja e besimit të konsumatorëve tanë është prioriteti ynë më i lartë dhe jemi plotësisht të përkushtuar të ofrojmë produkte të sigurta dhe të përputhshme.
Të gjithë furnizuesit tanë janë të detyruar të respektojnë kodin e sjelljes së Shein dhe standardet e rrepta të sigurisë, si dhe të veprojnë në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse në tregjet ku operojmë.”