Komuna e Gostivarit, peng i interesave të pushtetit
Në rrethana të çuditshme dhe për shumëkënd të pashpjegueshme, në Gostivar nuk u arrit censusi për vetëm 22 vota. Kjo ndodhi, edhe përskaj asaj se kandidati nga radhët e opozitës, Valbon limani, mori rreth 17 mijë vota, duke u bërë kështu kandidati më i votuar në RMV për kryetar komune.
Ky rezultat ngre shumë pikëpyetje, jo vetëm për organizimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor, por edhe për mënyrën se si trajtohet vullneti i qytetarëve kur ai nuk përputhet me interesat e pushtetit. Sot, kryeministri ka deklaruar se do të ulet me partnerët e tij të koalicionit për të emëruar një ushtrues detyre të kryetarit të komunës për 60 ditë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Gostivar.
Por kjo ngre një dilemë serioze politike dhe demokratike: A nuk përbën kjo një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në vullnetin qytetar? A nuk është kjo një mënyrë për ta mbajtur nën kontroll një komunë që qytetarët e kanë orientuar qartë drejt një ndryshimi politik?
Nëse, Kryeministri dhe partnerët e tij politikë duan të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi demokratike, duhet të tregojnë vigjilencë politike, të tejkalojnë egot partiake dhe t’i japin përparësi vullnetit të qytetarëve të Gostivarit.
Në këtë kontekst, zgjedhja më e natyrshme dhe më legjitime do të ishte të propozohet Valbon Limani, kandidatit më të votuar, si ushtrues detyre i kryetarit të komunës, deri në zgjedhjet që do mbahen pas 60 ditëve.
Në fund të fundit, demokracia matet me respektimin e vullnetit të shumicës, dhe Gostivari e ka shprehur qartë këtë vullnet përmes votës së lirë edhe përkundër presioneve të mëdha të pushtetit.