
“Kosova është zemra e Serbisë” – Mekuli zbulon skenarin pas heshtjes opozitare
AA
Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar ndaj bastisjes së Policisë së Kosovës në Leposaviq, ku u gjetën armë, municion dhe bluza me slogane si “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.
Ai tha se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e strategjisë destabilizuese të “Listës Srpska”, e cila sipas tij është instrument i Beogradit.
Mekuli akuzoi opozitën në Kosovë për heshtje dhe relativizim, duke e quajtur këtë sjellje “bashkëfajësi indirekte me strukturat serbe që mohojnë shtetin e Kosovës”.
Sipas tij, forcat progresive demokratike janë të vetmet që po mbrojnë sovranitetin dhe rendin në vend, ndaj duhen mbështetur dhe jo penguar.
Postimi i plotë:
“Kosova është ♥️e Serbisë”, armë dhe raki – Opozita heshtë!?
Bastisja e Policisë së Kosovës në Leposaviq, ku u gjetën bluza me slogane nacionaliste si “Kosova është Serbi”, “Kosova është zemra e Serbisë”, armë dhe simbole luftënxitëse, nuk është një ngjarje e izoluar.
Ky është vetëm një pasqyrim i realitetit politik që prodhon “Lista Srpska”, si vegël e drejtpërdrejtë e Beogradit zyrtar. Lista Srpska nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë, sipas Kushtetutës së Serbisë. Prandaj, aktivitetet e saj nuk mund të shihen vetëm si “politikë e zakonshme”, por si strategji destabilizuese.
Të mbyllësh sytë para këtij realiteti është naivitet i rrezikshëm. Kur një subjekt politik nuk i bindet rendit kushtetues të shtetit ku vepron, atëherë ajo nuk është parti politike në kuptimin demokratik të fjalës, por një instrument i Serbisë së Andriqit, e mikut të Edi Ramës, Vuciqit, për ta minuar sovranitetin dhe stabilitetin e Kosovës.
Në këto ditë të rënda për Kosovën, është e pafalshme që një pjesë e opozitës në Kosovë, në vend që të mbështesë institucionet dhe forcat progresive demokratike të Kosovës në ballafaqim me këto rreziqe të Serbisë, bën të kundërtën:
1. relativizon veprimet e policisë dhe institucioneve të Kosovës;
2. i jep jehonë propagandës së Beogradit përmes mediave të tyre;
3. e paraqet Qeverinë e Kosovës dhe Albin Kurtin si problem, ndërkohë që problemi real janë grupet e organizuara serbe që mohojnë ekzistencën e shtetit tonë.
Kjo sjellje çoroditëse nuk është opozitarizëm i shëndetshëm demokratik, por bashkëfajësi indirekte me strukturat serbe që duan ta dobësojnë e ta coptojnë Kosovën.
Kur opozita e quan “teprim” apo “provokim” bastisjen e vendeve ku ka armë, municion, bluza me mbishkrimin “Kosova është Serbi” – “Kosova është Zemra e Serbisë” dhe ku zbulohet dinamit, elektroshokë apo materiale të rrezikshme, ajo faktikisht i bën shërbim Serbisë që do ta mbajë veriun jashtë kontrollit të Kosovës.
Të nderuar lexues,
Është koha që populli i Kosovës (si shqiptarët, e poashtu edhe pakicat që jetojnë në Kosovën Demokratike) ta kuptojnë: nuk mund të ketë demokraci të shëndetshme as progres shoqëror nëse i hapim rrugë banditëve, të organizuar në parti politike, që nuk e pranojnë ekzistencën e shtetit tonë.
Forcat progresive demokratike nuk duhet të pengohen, por të mbështeten, sepse vetëm ato po e mbrojnë sovranitetin, rendin dhe sigurinë e Kosovës.