“Krimi i organizuar në burgje”, qeveritarët premtojnë “zero tolerancë” ndaj krimit dhe korrupsionit
Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari premton zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit në burgje. Në Konferencën Rajonale “Krimi i organizuar në burgje – forcimi i integritetit, kapaciteteve të inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore”, ai u shpreh se ndërmarrin hapa konkretë për një sistem më të sigurt, më profesional dhe më transparent.
Jeton Shasivari, ministër i Drejtësisë
“Janë punësuar 100 zyrtarë të rinj, janë vendosur trajnime të specializuara kundër korrupsionit, janë formuar njësi për inteligjencën e burgjeve në Idrizovë, Shtip, Prilep dhe Burgun e Shkupit. Përmes ndryshimeve ligjore synojmë që pozitat drejtuese në policinë e burgjeve t’u besohen profesionistëve me përvojë nga sistemi. Janë siguruar 25 milionë euro për ndërtimin e objekteve në SHNK Idrizovë, në kuadër të projektit me vlerë 46 milionë euro, për kushte më të sigurta dhe në përputhje me standardet evropiane”.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, theksoi se nevojitet përgjigje e përbashkët dhe e koordinuar sepse krimi i organizuar në burgje nuk është problem i izoluar.
Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm
“Duhet t’i njohim hapur dobësitë. Mbipopullimi, mënyra e zbatimit të paraburgimit, alternativat e zhvilluara pamjaftuesjëm, rreziku i rekrutimit të personave të cenueshëm dhe mundësia e ndikimit korruptiv krijojnë hapësirë që strukturat kriminale e shfrytëzojnë. Në të njëjtën kohë, presionet, frikësimi dhe korrupsioni mund të cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe qëndrueshmërinë e personelit të burgjeve. Këto sfida janë reale dhe nuk duhet t’i nënvlerësojmë”.
Konferenca Rajonale “Krimi i organizuar në burgje: Forcimi i integritetit, inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore”, u organizua nga Misioni i OSBE-së në Shkup, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve përkatëse dhe ekspertë nga vendet e rajonit.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
