Nis funksionimi i linjës së parë e trenit urban të kryeqytetit
Kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski, kryetari i Qytetit të Shkupit dhe drejtuesit e kompanive hekurudhore “Transport” dhe “Infrastrukturë” dhe punonjësit e tyre, sot në mëngjes, të shoqëruar nga mediat, udhëtuan me tren nga stacioni hekurudhor i Zelenikovës deri në Shkup. Këtu edhe zyrtarisht u lëshua në përdorim linja e parë e trenit urban të Qytetit, dhe në këtë linjë treni do të lëvizë tetë herë në ditë. Çmimi i biletës së trenit është 40 denarë për një vajtje ose 70 denarë për biletë vajtje-ardhje.
Sipas kryeministrit, kushtet janë evropiane dhe shtoi se banorët e komunës së Zelenikovës tani do të mund të arrijnë në qendër të Shkupit për një kohë më të shkurtër.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Me këtë nuk i zgjidhim të gjitha problemet që kemi, por ky është një hap përpara në zgjidhjen e disa problemeve në transport dhe mjedis, veçanërisht duke pasur parasysh se sezoni i ngrohjes dhe sfidat që sjell ai janë përpara nesh”.
Sipas ministrit të Transportit, Aleksandar Nikoloskit, dy vjet më parë transporti hekurudhor konsiderohej i harruar tani rikthehet në jetë. Ndërsa shtoi se po punojnë edhe në projektimin e dy linjave të tjera të këtij projekti.
Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit
“Nëse dy vjet më parë kishim shina plotësisht të braktisura, stacione hekurudhore të mbyllura që po shkatërroheshin, trena dhe lokomotiva jofunksionale, sot kemi transport mallrash të qartë dhe aktiv, dhe që dje kemi edhe ‘Trenin e Qytetit’. Ne premtuam se do të fillonte më 1 shtator, dhe kështu ndodhi”
Drejtori i NP “ Infrastrukturë”, Sinisa Ivanovski, informoi se udhëtimi nga Zelenikova në Shkup dhe anasjelltas do të zgjasë më pak se 25 minuta.
Sinisa Ivanovski, drejtor i NP “ Infrastrukturë”
“Në këtë pjesë kishte traversa betoni nga viti 1959 dhe 1963, dhe gjendja e binarëve ishte jashtëzakonisht e palakmueshme, prandaj trenat lëviznin ngadalë, madje edhe me një shpejtësi prej vetëm 20 kilometrash në orë. Për momentin, trenat lëvizin pa probleme me një shpejtësi prej 80 kilometrash në orë, dhe në pjesë të caktuara deri në 100 kilometra në orë”.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski, shpreson që dy fazat e ardhshme të përmirësimit të transportit publik në kryeqytet do të zbatohen me të njëjtën dinamikë dhe ritëm.
Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit
“Kjo është një nga alternativat e transportit që duhet t’i nxjerrë qytetarët nga makinat e tyre. Faza e dytë është modernizimi i NTP ‘Shkup’, për të cilën procedura ka përfunduar dhe kontrata është nënshkruar. 100 autobusët e rinj do të mbërrijnë së shpejti. Faza e tretë është zbatimi i projektit Transporti autobusëve të shpejtë, ku gjithçka është përfunduar. Tenderi për përzgjedhjen e operatorit do të shpallet në 10 ditët e ardhshme”.
Seksioni i dytë i transportit hekurudhor parashikon një lidhje nga Miladinovci nëpërmjet Ilindenit dhe Maxharit deri në stacionin qendror hekurudhor në Shkup, ndërsa seksioni i tretë do të shtrihet nga stacioni qendror hekurudhor përmes Shkup Veri dhe Gjorce Petrov deri në Vollkovë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
