Kryedemokrati me sytë nga Shtëpia e Bardhë, sondazhi i shuan shpresat Berishës, 65% e shqiptarëve nuk besojnë se Trump do t’i heqë “non gratën”
65.4% e shqiptarëve nuk besojnë se ish-kryeministrit Sali Berisha do t’i hiqet ‘non grata’ nga SHBA me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në sondazhin ‘Termometri Politik’ që Report TV realizon në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën, vetëm 33.2 % e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, kanë shpresën se Departamenti Amerikan i Shtetit do të ndryshojë vendim për kreun e PD dhe 2.4% janë të dyzuar.
Vihet re një ndryshim i lehtë në përqindje mes shqiptarëve që jetojnë këtu dhe atyre jashtë vendit, ku 63.9% thonë se Berishës nuk i hiqet non grata krahasuar me 68.9% nga diaspora.
Një tjetër pyetje drejtuar 1854 zgjedhësve të prirur për të votuar është se si iu duket aksioni i PD për mosbindje civile. Rezulton se shqiptarët janë të zhgënjyer, ku 73.5% e quajnë dështim, 17.2% sukses dhe 9.3% janë të dyzuar.
Shënim: Kampioni i sondazhit, 1854 zgjedhës gjithsej, të prirur për të votuar: 1298 në territorin e Shqipërisë, të kontaktuar me SMS krejt të rastësishme të shpërndara proporcionalisht në çdo qark, si edhe 556 zgjedhës nga emigracioni, të kontaktuar përmes miqve/të afërmve këtu. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: Plus/minus 3.1%.