Kryeministri Mickoski : “Paga prej 2,500 eurosh më mjafton” Detaji mijëra eurosh në kyçin e dorës që tërhoqi vëmendjen e publikut
Gjatë një interviste televizive në Alsat M ku u diskutua mbi standardin e jetesës dhe të ardhurat zyrtare të zyrtarëve të lartë, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se paga e tij shtetërore prej rreth 2,500 eurosh është e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e tij familjare.
Në bisedë e sipër, Mickoski vuri në dukje edhe dallimet në sistemin e pagave publike, duke u shprehur se, sipas përllogaritjeve dhe shtesave financiare, paga e kryeministrit mund të rezultojë deri diku më e ulët se ajo e një profesori të rregullt universiteti — një pozicion akademik të cilin ai vetë e ka ushtruar prej vitesh pranë Fakultetit Inxhinierik.
Megjithatë, përtej deklaratave mbi buxhetin personal dhe krahasimet me sektorin akademik, vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale e mori një detaj tjetër gjatë transmetimit. Në kyçin e dorës së kryeministrit ra në sy një orë e stilit chronograph me fushë të zezë dhe rrip lëkure, dizajni i së cilës përkon me modelet e njohura të brendit zviceran të luksit IWC Schaffhausen (Pilot’s Watch Chronograph).
Aksesorët e kësaj linje luksoze arrijnë një vlerë prej 7,500 deri në 8,500 euro nëse blihen të rinj në dyqanet zyrtare, ndërsa në tregun e orëve të përdorura (pre-owned) vlerësohen midis 4,500 dhe 6,000 euro.
Paraqitja e kryeministrit në studio mbetet kështu një kombinim mes deklaratave për jetesë me pagën zyrtare shtetërore dhe preferencave personale në stilin e veshjes./Shprehja