
Kryetari Valbon Limani viziton Llakavicën, rikonstruksion i plotë i objektit shkollor
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani sot vizitoi shkollën fillore “Bashkimi” në fshatin Llakavicë për t’i parë nga afër investimet e realizuara dhe për t’i uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë shkollor.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Limani theksoi se gjatë pushimeve verore është kryer rikonstruksion i plotë i objektit shkollor, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të përshtatshëm për mësimdhënie. Ai njoftoi gjithashtu se nga ky vit shkollor, mësimi në shkollën e Llakavicës do të zhvillohet me vetëm një ndërrim, duke ndjekur modelin e shkollave të tjera në territorin e Komunës së Gostivarit, ku janë përmbushur kushtet për këtë organizim.
“Sot vizituam shkollën fillore “Bashkimi” në fshatin Llakavicë, ku pamë për së afërmi investimet të cilat janë bërë gjatë verës. Gati se rikontruim i tërësishëm i objektit për të siguruar kushte më të mira për nxënësit. Gjithashtu duhet të ceket se mësimi do të mbahet vetëm në një ndrrim dhe jo vetëm në këtë shkollë, por në shumicën e shkollave periferike”, u shpreh kryetari Valbon Limani.

Vlera e përgjithshme e investimit në këtë objekt shkollor, që është pjesë periferike e SHFK “Bashkimi”, ka qenë rreth 30 mijë euro. Aktualisht, në këtë shkollë ndjekin mësimin 30 nxënës, nga klasa e parë deri në të nëntën.
Kryetari Limani paralajmëroi edhe investime të tjera infrastrukturore për fshatin Llakavicë, përfshirë rregullimin e disa rrugicave të brendshme dhe përmirësimin e sistemit të ujësjellësit. Ai theksoi se Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të infrastrukturës në të gjitha vendbanimet, përfshirë edhe ato rurale.
Kujtojmë se edhe gjatë periudhës së kaluar, në Llakavicë janë realizuar disa projekte të rëndësishme, ndër të cilat spikat asfaltimi i rrugës kryesore në hyrje të fshatit.