Për çfarë biseduan Kurti dhe Mickoski në Nju Jork?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju Jork me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, si dhe për avancimin e projekteve të përbashkëta.
Në fokus të bisedës ishte edhe përshpejtimi i procedurave për realizimin e tunelit Prizren-Tetovë, projekt të cilin Kurti e cilësoi me rëndësi të veçantë për qytetarët, zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve.
“Katër javë më parë ishim bashkë në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, ndërsa sot me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u takuam në New York”, shkroi Kurti.
Sipas tij, në takim është diskutuar gjithashtu edhe zbatimi i marrëveshjes për thëngjillin.
Të dy kryeministrat janë pajtuar të vazhdojnë punën për realizimin e projekteve të përbashkëta, me synim forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe sigurisë energjetike.
Kurti theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse janë vende fqinje, janë edhe shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta në paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik./shprehja.com