Kthimi i shoqëruesit të VLEN-it nga kufiri, shumë zhurme për një person
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, ka kërkuar informacione nga Ambasada e Shqipërisë në vend për ndalesën e zyrtarëve të partisë VLEN, në kufi, kanë konfirmuar ata për mediat. Ndërsa për të njejtën tematikë kishin zhvilluar edhe një takim me përfaqësues të ambasadës.
Ndalesa e koordinatorit t Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputetit Adnan Azizi dhe zëvendëssekretarit të përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, të mërkurën në kufi bëri që VLEN të mbante mbledhje të kryesisë së partisë. Prej saj përcjellën mesazhin se marrëdhëniet me Shqipërinë, komunikimi institucional dhe bashkëpunimi ndërshqiptar nuk guxojnë të bëhen viktimë e interesave të ngushta partiake.
VLEN
“Qëndrimi ynë është i qartë: do të vazhdojmë me komunikim të përgjegjshëm, dinjitoz dhe institucional me Shqipërinë, në interes të shqiptarëve, në interes të qytetarëve dhe në interes të stabilitetit në rajon. Por njëkohësisht do të jemi parimorë dhe të drejtë dhe nuk do të lejojmë që interesat politike të individëve të jenë më të rëndësishme se interesat e shqiptarëve”.
Ndërkoh sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, problemi ka qenë te personi i katërt që ka shoqëruar zyrtarët e RMV-së pasi tek ai ka pasur pengesa ligjore për të hyrë në shtetin shqiptarë, ndërsa zyrtarët kanë mundur të kalojnë lirshëm, por përshkak se nuk kanë mundur ta kalojnë edhe shoqëruesin e katërt të tyre, kanë zgjedhur që të kthehen në RMV dhe mos ta vazhdojnë rrugën.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/