Lajm i mirë për pushuesit kosovarë: Tuneli i Llogarasë hapet në qershor
Zv/kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri një analizë vjetore të dikasterit që ajo drejton këtë të hënë. Ajo u ndal në disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore.
Sa i përket tunelit të Llogarasë, Balluku bëri me dije se do të hapet në Qershor të këtij viti, ashtu siç është premtuar
“Një tunel që ka qenë një ëndërr në sirtar për shumë qeveri shqiptare, por që u realizua nga qeveria Rama, që ka nisur atëherë kur duhej, pikërisht në Nëntor të vitit 2021 dhe do të përfundojë siç kemi premtuar, pavarësisht një kontrate 36 mujore, ne kemi premtuar që do të hapet në fillim të sezonit veror 2024 dhe ashtu do të ndodhë. Më 30 Qershor 2024 vepra do të dorëzohet sipas të gjitha parametrave të parashikuara”, tha ajo.
Një tjetër problematikë është edhe trafiku në pjesën e Fushë-Krujës dhe nyjen e Rinasit, që sipas Ballukut do të marrë zgjidhje nëpërmjet aksit Thumanë-Kashar, si pjesë e Korridorit Blu. Ajo theksoi se ky aks do të futet në funksion gjatë verës së këtij viti.
Kemi nisur vitin me një inspektim në aksin Thumanë-Kashar si një nga akset më të rëndësishme të Korridorit Blu. Korridori Blu është i gjithi një aks i rëndësishëm, por sa i përket Thumanë-Kashar, edhe për shkak të volumeve të trafikut të vizitorëve të huaj në vendin tonë që këtë vit kanë arritur 10 milionë, ngarkesa që ndodh në pjesën e Fushë-Krujës apo në nyjen e Rinasit ka bërë që padyshim të ndjejmë kompleksitetin që duhet zgjidhur sa më parë. Kështu që është kërkuar edhe nga kompania koncensionare e këtij aksi që të vijohet sa më parë dhe të dorëzohet para afatit. Kështu që Thumanë-Kashar, së bashku me dy nyjet e tij të rëndësishme do të futet në funksion edhe ai gjatë verës të vitit 2024, duke shfryrë njëherë e mirë të gjithë trafikun që krijohet në autostradën e veriut dhe problematikën që krijohet në aeroportin e Rinasit”, u shpreh ministrja.
Viti 2024 do të shohë edhe përfundimin e rrugës së Arbrit. Me realizimin e tunelit të Murrizit, Balluku theksoi se ky aks do të përfundojë në Dhjetor të këtij viti./tv.klan.al/
“Lajmi i mirë është se në Dhjetor 2024, ndoshta edhe më shpejt, megjithatë dua që të jap afatin maksimal, me përfundimin e tunelit të Murrizit ku janë hedhur qindra tonë hekur për ta mbajtur dhe mos pasur asnjë problematikë në të ardhmen rruga e Arbrit do të përfundojë”, tha ajo.
Në Dhjetor 2024 do të përfundojë edhe një aks i rëndësishëm siç është Unaza e Madhe e Tiranës.
“Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë e disponueshme për të përthithur të gjithë trafikun që vjen nga autostradat e veriut e jugut, apo dhe të lindjes. Kështu që të gjithë banorët e kryeqytetit nuk do t’i duhen më që të kalojnë qytetin mes për mes për të shkuar nga një pikë në tjetrën”, theksoi Balluku.