
Lajmi në Flaka, reagon Aleanca për Shqiptarët: Bilall Kasami në panik, komunën e shndërroi në mjet hakmarrjeje politike
Pas publikimit në Flaka se Bilall Kasami ka kryer hakmarrje politike ndaj biznesmenit dhe sportistit të njohur Sinan Idrizi, duke i rënuar tarracën para objektit të tij, ka reaguar Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.
Inatet politike, revanshizmi dhe hakmarrja kanë arritur kulmin në Komunën e Tetovës nën drejtimin e Bilall Kasamit. Në panik nga përballja me popullin më 19 tetor, ai është duke shpërfaqur fytyrën e tij të vërtetë, vlerëson Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë.
“Kush nuk mendon si Bilall Kasami, nuk duhet të ekzistojë. Ky është një rast tipik i hakmarrjes së pastër politike”, thuhet në reagimin e kësaj partie, duke përmendur rastin e biznesmenit dhe sportistit të njohur tetovar, Sinan Idrizi. Idrizi vetëm pesë ditë më parë njoftoi aderimin e tij në Aleancë, dhe menjëherë pas kësaj, përpara objektit të tij është shfaqur ekskavatori i komunës, duke prishur tarracën e restorantit.
Aleanca sjell edhe një shembull tjetër të “drejtësisë selektive” të kryetarit Kasami.
“Ekziston vendim komunal për prishjen e tarracës së subjektit ‘MGM Kom’ me pronar H.H., por ai nuk është ekzekutuar, pasi pronari është donator i partisë së Kasamit dhe i inkasantit Adnan Azizi.”
Gjithashtu, sipas opozitës, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kasamit, A.B., ka zënë hapësirën publike – trotuarin te ura afër stacionit policor – pa asnjë dokument.
“Për të nuk vlejnë ligjet, sepse ka qenë ish-këshilltar i Lëvizjes Besa, udhëheqës i urbanizmit dhe tani këshilltar personal i Kasamit.”
Nga Aleanca theksojnë se kjo tregon qartë për një përpjekje hibride politike e hakmarrëse.
“Çdo lëvizje e opozitës shqiptare, për Bilall Kasamin është një hap drejt humbjes së sigurt më 19 tetor.”
Në fund, Aleanca për Shqiptarët apelon edhe te institucionet e shtetit:
“Kërkojmë që të kryhen kontrolle në Komunën e Tetovës dhe të verifikohet pse nuk zbatohen të gjitha vendimet e marra në emër të ligjit. Bilall Kasami ka dy qasje: një ligj për opozitarët dhe një tjetër për donatorët e partisë.”
Mesazhi i opozitës për Kasamin është i qartë:
“E ftojmë Bilall Kasamin të ndalë me këtë qasje revanshiste dhe të pranojë faktin se zgjedhjet i ka të humbura me siguri. Pas 19 tetorit ka jetë, dhe jeta vazhdon. Edhe në politikë duhet të veprohet me moral dhe të mbyllet karriera me respekt ndaj popullit që të dha mandat – e jo humbjen ta kthejë në mllef ndaj qytetarëve të Tetovës.” Flaka