Largime të reja nga partitë e VLEN-it, kryetari i nëndegës së Alternativës në Luboten jep dorëheqje
Kryetari i nëndegës së Alternativës në Luboten, Sabar Mustafa, ka bërë të ditur se së bashku me strukturat e kësaj nëndege ka vendosur të largohet nga Alternativa dhe koalicioni VLEN. Mustafa, i cili më herët për një dekadë ishte pjesë e Lëvizjes Besa e më pas e Alternativës, akuzon Zeqirja Ibrahimin se i ka mashtruar aktivistët me premtimin për hapjen e ambulancës në Luboten.
“Këtë dorëheqje po e bëj publike, që banorët e fshatit ta dinë të vërtetën dhe arsyen e largimit tim – jo atë që mund të flitet nga të tjerët. Pas 10 viteve kontribut dhe punë të palodhshme për Lubetenin, së bashku me shokët e mi me të cilët kemi kontribuar për të mirën e fshatit, më 12.08.2025 vendosëm të japim dorëheqje. Edhe ata ndajnë të njëjtin mendim me mua – se ky është hapi i duhur”, tha Mustafa.
Ai shtoi se ky vendim nuk është marrë lehtë, por është rezultat i zhgënjimit të thellë.
“Unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të nëndegës së Alternativës në Lubeten dhe kam ndërprerë çdo lidhje me Alternativën dhe koalicionin VLEN. Ky vendim nuk erdhi nga dëshira, por nga zhgënjimi i thellë. Ata që sot mbajnë postet dhe privilegjet harruan shpejt sakrificën e aktivistëve”, deklaroi ai.
Sipas Mustafës, kërkesa e përsëritur për hapjen e ambulancës në fshat nuk është realizuar, ndërsa punësimet e premtuara janë shpërndarë në mënyrë selektive.
“Kërkesa jonë ishte që ambulanca në Lubeten të hapet para zgjedhjeve lokale, por kjo nuk u realizua. Degës Butel i mungon funksionimi i drejtë, meritokracia nuk ekziston dhe punësimet e premtuara u kthyen në shpërndarje për njerëz të zgjedhur, jo për ata që e meritojnë”, theksoi ai.
Mustafa ka nënvizuar se nuk do të lejojë të përdoret për interesa të ngushta partiake:
“Nuk kam ndërmend të jem fasadë për interesat e ngushta të disa individëve që shohin vetëm karrigen e tyre. Faleminderit bashkëfshatarëve që kanë qenë krah meje – zëri im për Lubetenin nuk do të shuhet, pavarësisht partive apo koalicioneve”, përfundoi ai.
Së fundmi, në statusin e tij publik, edhe Mesut Bajrami nga Kumanova, anëtar i Kryesisë Qendrore të Alternativës, ka reaguar ashpër në rrjetin social Facebook, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë nga zyrtarët e partisë së tij.
Bajrami i drejtohet drejtpërdrejt kryetarit të Alternativës Zeqirija Ibrahimi dhe Bashkim Murtezi, duke kërkuar që ata të dalin dhe të sqarojnë publikisht se kush po përfiton nga tenderët në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë.
“Zeqirija Ibrahimi dhe Bashkim Murtezi, dilni dhe tregoni kush po vjedh edhe nga tenderët e Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë!” – shkruan Bajrami. Flaka Media






