Leonardo Bonuçi shpjegon se përse do të vesh fanellën me numër 19 te Fenerbahçe
Qendërmbrojtësi i ri i Fenerbahçes, Leonardo Bonuçi, është stërvitur me ekipin e tij të ri. Klubi turk nënshkroi me italianin deri në fund të sezonit. Ai do të fitojë 1.3 milionë euro për 5 muaj. Lojtari transalpin tha se është shumë i emocionuar për të luajtur në Stamboll.
“Ndihem shumë i lumtur që jam te Fenerbahçe. Jam shumë i emocionuar për fillimin e gjysmës së dytë të sezonit. Shpresoj të fitojmë shumë trofe. Jam gati të luftoj për këtë fanellë. Numri im i fanellës është 19, një numër i veçantë për mua. Është ditëlindja e gruas sime. Atmosferë e pabesueshme, ekip i madh, dua shumë të luaj për këta tifozë të jashtëzakonshëm. Shihemi së shpejti”, tha mes tjerash italiani.
Klubi turk njoftoi gjithashtu një marrëveshje me Milanin për transferimin e Rade Kruniçit. Boshnjaku do të mbërrijë në Stamboll për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Fenerbahce ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare e gjysmë me Kruniçin dhe do t’i paguajë 5 milionë euro Milanit.