Limani në TV21: Profesori më shumë jeton në Shkup, prandaj s’ka informata për Gostivarin
Në debatin e zhvilluar në TV21 mes kandidatëve për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe kandidatit të pavarur Visar Ademi, temë kryesore ishin menaxhimi i mbeturinave dhe zhvillimi lokal.
Kryetari aktual Valbon Limani reagoi ndaj deklaratave të kundërkandidatit të tij, duke thënë se të dhënat që ka përdorur profesori Ademi janë të pasakta.
“Konstatimet e Visarit janë konstatime. Nuk dëgjuam diçka konkrete. Por sidoqoftë, profesorit me siguri i kanë dhënë të dhëna të gabuara. Në Gostivar prodhohen rreth 40 tonë mbeturina në ditë, ndërsa gjatë verës ajo sasi arrin deri në 70 ose 80 tonë. Dhjetë tonë është shifër për ndonjë komunë rurale, jo për Gostivarin,” – deklaroi Limani në TV21.
Ai theksoi se në Gostivar tashmë funksionon një qendër inovative për të rinjtë, duke iu përgjigjur kritikave të Ademit për mungesë të mbështetjes për startup-et.
“Në Gostivar veç funksionon Qendra Rinore ‘AIKEN’, e cila që nga fillimi ka pasur qëllim të mbështesë startup-e dhe ide të reja biznesi. Janë krijuar shumë biznese të suksesshme. Profesori kalon më shumë kohë në Shkup, prandaj ndoshta nuk ka pasur informata për këtë,” – tha Limani.