Liridona Beqiri në SHBA me ftesë të Departamentit amerikan të Shtetit, pjesë e programit prestigjioz IVLP
Liridona Beqiri, juriste dhe eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në programin ndërkombëtar të shkëmbimit profesional “International Visitor Leadership Program” (IVLP), të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Pjesëmarrja e saj në këtë program është bërë me nominim nga Ambasada e SHBA-së në Shkup dhe me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit, siç ka bërë të ditur vetë Beqiri përmes publikimeve në rrjetin profesional LinkedIn.
Programi, me temë “Current U.S. Social, Political, and Economic Issues for Young European Leaders II”, zhvillohet nga 28 tetori deri më 3 nëntor 2026 dhe mbledh përfaqësues nga vende të ndryshme evropiane, përfshirë Maqedoninë e Veriut.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Beqiri ka zhvilluar vizita dhe takime në institucione dhe organizata amerikane. Ndër aktivitetet e publikuara prej saj është vizita në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku ka zhvilluar diskutime me përfaqësues të këtij institucioni për zhvillimet ndërkombëtare, marrëdhëniet SHBA–Evropë dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se është takuar me dr. Benjamin Jensen, drejtor i Futures Lab pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), me të cilin ka diskutuar për ndryshimet në raportet gjeopolitike, ndikimin e inteligjencës artificiale në mbrojtje dhe sfidat e reja të sigurisë ndërkombëtare.
Në kuadër të qëndrimit në kryeqytetin amerikan, Beqiri ka vizituar edhe Institutin e Paqes në Uashington (United States Institute of Peace).
Programi IVLP parashikon takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave civile, sektorit ekonomik, mediave dhe universiteteve. Në fokus janë qeverisja në nivel federal dhe lokal, pjesëmarrja qytetare, transparenca institucionale, liria e medias, politikat ekonomike dhe sfidat me të cilat përballen gjeneratat e reja.
Pas aktiviteteve në Uashington, programi përfshin edhe vizita dhe shkëmbime profesionale në shtete të tjera amerikane, përfshirë Ohion, ku delegacioni pritet të qëndrojë në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Global Ties Akron.
Liridona Beqiri ka përfunduar studimet juridike dhe masterin në marrëdhënie ndërkombëtare, me fokus në të drejtën ndërkombëtare, të drejtën e Bashkimit Evropian dhe diplomacinë. Ajo ka përfunduar gjithashtu Akademinë Diplomatike të Vjenës.
Në karrierën e saj profesionale ka ushtruar disa funksione këshilltareje në institucione të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sipas biografisë së publikuar nga BDI-ja, ajo është gjithashtu anëtare e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Programi IVLP konsiderohet një nga programet kryesore të shkëmbimit profesional të Departamentit Amerikan të Shtetit, përmes të cilit profesionistë dhe liderë nga vende të ndryshme njihen nga afër me institucionet, politikat dhe përvojat amerikane./INA/