LSDM dhe VMRO vazhdojnë të akuzojnë njëra–tjetrën për ujin e ndotur në Gostivar
Partia opozitare, LSDM ka akuzuar se problemet me furnizimin me ujë dhe ndotjen e ujit në disa pjesë të Maqedonisë së Veriut janë shndërruar në një problem serioz shëndetësor dhe institucional. Sipas tyre deri më tani askush nga pushteti nuk ka mbajtur përgjegjësi, edhe pse në më shumë se 50 vendbanime është regjistruar ujë i ndotur. Si shembullin më të rëndë ata e përmendin sërish Gostivarin, ku mbi 4.000 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Keti Shterjova nga LSDM ka theksuar se nuk mund të helmohet i gjithë shteti, dhe se kërkon përgjigje nga veprimet e institucioneve në Gostivar.
KETI SHTERJOVA-NGA LSDM
“Ata pretenduan se uji ishte ‘teknikisht i saktë’, dhe vetëm sepse Mickoski tha se ishte i saktë. Jo analizat, por Mickoski. Një raport, një analizë e ujit dhe një firmë që miratonte ‘ujin teknik’ nuk u publikuan kurrë. Ministri i Brendshëm, Toshkovski ishte i përfshirë në hiperklorinim dhe u tha qytetarëve të linin ujin të rrjedhë nga rubinetet. Drejtori Stojançe Angellov konfirmoi se ka një bakter të rrezikshëm në ujë”.
Partia opoziatre ka ngritur pikëpyetje edhe për furnizimin me ujë për nevojat e popullsisë së prekur, duke pretenduar se Qeveria ka lidhur një kontratë me vlerë rreth 100.000 euro pa zhvilluar procedurë tenderimi.
Ndërkoh, VMRO-DPMNE, është kundërpërgjigjur duke e akuzuar LSDM-në se po përpiqet të fitojë pikë politike dhe të përhapë panik lidhur me ujin e pijshëm. Sipas VMRO-DPMNE-së, gjatë kohës kur LSDM-ja ishte në pushtet dhe drejtonte institucionet, nuk u ndërmorën masa për zgjidhjen e problemeve me cilësinë e ujit të pijshëm, të cilat, sipas partisë, kanë ekzistuar edhe gjatë kohës kur Venko Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë dhe përgjatë gjithë periudhës së qeverisjes së LSDM-së.
VMRO-DPMNE
“Dokumentet nga analizat e kryera, të cilat janë bërë publike, tregojnë se gjatë periudhës kur LSDM-ja ishte në pushtet dhe Filipce ministër, janë evidentuar raste të ujit të pasigurtë për pije në disa vendbanime të vendit, përfshirë edhe Gostivarin”.
Sipas VMRO-DPMNE-së, drejtuesit e LSDM-së, të udhëhequr nga Venko Filipçe, në atë kohë kishin prioritete të tjera më të rëndësishme sesa shëndeti i qytetarëve dhe siguria e ujit të pijshëm.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
