LSDM: Paga mesatare bie për 1,163 denarë, “matematika e Mickoskit” nuk mbush frigoriferët
Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski vazhdimisht thekson rritjen e pagave dhe pensioneve, nga opozitarja LSDM akuzojnë se të dhënat e fundit statistikore tregojnë një tjetër realitet ekonomik.
Sipas LSDM-së, Enti Shtetëror i Statistikave ka njoftuar se paga mesatare neto vetëm brenda një muaji është ulur me 1,163 denarë, përkatësisht me 2.3 për qind.
“Atyre nuk u duhen statistika për rënien e standardit të jetesës së qytetarëve, sepse atë e shohin në shtëpi, në frigoriferët bosh dhe në portofolat bosh”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga partia opozitare theksojnë se paga minimale prej 26,000 denarësh nuk është e mjaftueshme as për të mbuluar një të tretën e shportës së konsumit, e cila, sipas tyre, ka arritur në rreth 70,000 denarë.
“Çmimet e larta po zbrazin buxhetet familjare çdo ditë”, thonë nga LSDM.
Opozitarja gjithashtu ironizon deklaratat e Mickoskit për ekonominë, duke e cilësuar situatën aktuale si pamjen reale të asaj që kryeministri e quan “ekonomia e tretë në Evropë”.
“Matematika e gëzueshme e Mickoskit nuk mund të paguajë faturën për asnjë familje. Pagë më e ulët. Jetë më e shtrenjtë. Xhepa bosh dhe frigoriferë bosh”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
