LSM është kundër idesë së daljes në pension në moshën 72 vjeç
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) shpreh shqetësim serioz lidhur me diskutimet aktuale në opinionin publik për rritjen e mundshme të moshës së pensionimit, ku përmendet mundësia që qytetarët të punojnë deri në moshën 72-vjeçare.
Nga Sindikata thonë se masa të tilla të nxituara merren në dëm të punëtorëve dhe se ato vetëm përkohësisht do ta mbulojnë deficitin në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSShI), ndërsa problemet thelbësore dhe strukturore do të mbeten të pazgjidhura.
Në një publikim në faqen e saj në Facebook, LSM i referohet të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave, të cilat, sipas saj, tregojnë qartë problemin e zgjatjes së mundshme të jetës së punës.
“Sipas Vjetarit Statistikor të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2025 të Entit Shtetëror të Statistikave, jetëgjatësia mesatare në vend është 76.63 vjet. A është kjo ideja – në vend të pensionit, të punohet deri në fund të jetës?”, pyesin nga LSM.
Sipas LSM-së, nevojiten politika dhe masa serioze për rritjen e punësimit të të rinjve përmes vendeve reale dhe të qëndrueshme të punës, të cilat do të jenë rezultat i investimeve të reja vendase ose të huaja, si dhe rritjes së pagave.
Ata theksojnë se në këtë mënyrë do të rriten të ardhurat në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor, ndërsa do të ulet varfëria.
Gjithashtu, ata vlerësojnë se nevojiten politika dhe masa për punë të denjë për të gjithë, me respektimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës sipas standardeve ndërkombëtare të punës, me qëllim që të rinjtë të qëndrojnë të punojnë dhe të jetojnë në vendin e tyre.
LSM konsideron se duhet të mundësohet pensionimi pas 40 viteve stazh pune për burrat dhe 35 viteve stazh për gratë, si dhe të futet pensioni i parakohshëm, pensioni i parakohshëm sipas moshës, pensioni i pjesshëm i pleqërisë dhe mundësia për blerjen e viteve të stazhit të punës.
“Duhet të vendoset stazh i privilegjuar për punëtorët e ndërtimtarisë, si dhe për sektorë të tjerë ku detyrat e punës kryhen në kushte veçanërisht të vështira, të cilat dëmtojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, vlerësojnë nga LSM.
Sipas LSM-së, kërkohet angazhim i plotë i inspektorateve dhe organeve të tjera shtetërore për të parandaluar punën e padeklaruar, duke e shndërruar atë në punësim të deklaruar dhe duke siguruar pagesën e rregullt të kontributeve.
“Për shkak të punës së padeklaruar, shteti humbet çdo vit 250 milionë euro, të cilat mbeten në xhepat e punëdhënësve. Vetëm në këtë mënyrë fondet sociale mund dhe do të bëhen reale e të qëndrueshme dhe do të jenë mbrojtje dhe siguri e vërtetë për punëtorët dhe qytetarët në rast sëmundjeje, pleqërie ose papunësie”, shtojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Ata konsiderojnë se nuk mund të zgjatet stazhi i punës pa vullnetin dhe nevojën e vetë punëtorëve, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve për jetën dhe duke ua shtyrë pensionimin e merituar, si mbulesë për politikat e gabuara të ndjekura për një periudhë të gjatë.
“Propozime të tilla i dëbuan punëtorët e rinj, ndërsa dikush tani seriozisht dëshiron t’i dëbojë nga Maqedonia edhe punëtorët më të moshuar”, thuhet në reagimin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.