
Martinez tallet me brazilianët, reagon ashpër trajneri Skaloni
Një mbrëmje për t’u mbajtur mend për Argjentinën e Skalonit, e cila turpëroi Brazilin 4-1 dhe siguroi kualifikimin për Kupën e Botës 2026. Pavarësisht mungesave të Messit dhe Lautaros, kombëtarja “Albiceleste” dominoi dhe mposhti Seleaon me një rezultat të pastër. Përveç spektaklit në fushë, nuk munguan as tensionet dhe provokimet, elemente të zakonshme në përballjet mes këtyre dy kombëtareve me rivalitet të zjarrtë.
Në njërën anë, Paredes u përplas verbalisht me Rodrigon, duke i bërë një provokim, tashmë “viral”. Por si gjithmonë, ndër protagonistët nuk mund të mungonte Dibu Martínez. Portieri argjentinas, i njohur për pritjet e tij spektakolare, por edhe provokimet e vazhdueshme ndaj kundërshtarëve, e pa përsëri veten në qendër të vëmendjes.
Me rezultatin 4-1 në minutën e 71-të, tensioni në fushë ishte i lartë. Në minutën e 78-të, Dibu mori një top nga shokët e tij dhe, në vend që të vazhdonte lojën menjëherë, vendosi ta xhonglonte “sferën” disa herë, duke krijuar një skenë që ndezi polemika të mëdha. Videoja e këtij veprimi u përhap me shpejtësi, duke shkaktuar zemërim te tifozët brazilianë dhe entuziazëm mes atyre argjentinas.
Megjithatë, ky gjest nuk u prit mirë nga trajneri Lionel Skaloni, i cili nga pankina e Argjentinës reagoi menjëherë, duke i bërë shenjë portierit të tij që të ndalonte. Me një gjest të qartë me dorë dhe një “jo” të prerë, ai kërkoi përqendrim maksimal deri në fund të ndeshjes, pa e lënë veten të përfshihej nga provokimet.
Ky episod është vetëm një tjetër kapitull në sagën e Dibu Martínez, i cili nuk ngurron të ndezë atmosferën me kundërshtarët e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për përballjet e zjarrta me Brazilin.