Mbrojtësi kanadez mban ende në ankth Bajern Munihun
Mbrojtësi 23-vjeçar kanadez Alfonso Dejvis vazhdon të mbajë në ankth të gjithë te Bajern Munihu në lidhje me të ardhmen e tij. Bavarezët kanë frikë se” çështja Alaba” mund të përsëritet, pasi austriaku u largua falas kur i skadoi kontrata. Edhe e ardhmja e mbrojtësit kanadez mund të jetë gjithashtu në Spanjë, pikërisht te Real Madrid. “Los blancos” prej kohësh po përpiqen ta bindin lojtarin që të mos rinovojë kontratën e tij me Bajernin, që skadon më 30 qershor 2025.
Dejvis, megjithatë, nuk mendon për këtë dhe po sillet si një profesionist i vërtetë. Në ndeshjen e fundit të Bundesliga kundër Augsburgut ai ishte autori i golit të dytë për skuadrën e Tushelit. Për “Kicker”, mbrojtësi foli për sezonin dhe të ardhmen e tij, pa lënë dyshime.
“Ndihem shumë rehat këtu. Unë luaj në një ekip të jashtëzakonshëm, një nga klubet më të mira në Europë. Dua të qëndroj i fokusuar dhe japim gjithçka për ekipin dhe tifozët tanë. Stili im i lojës ka ndryshuar pak që kur kam filluar. Më pak driblime, më pak rrezik. Sot di të bëj shumë gjëra shumë më mirë se katër vjet më parë. Sigurisht, sot kam më shumë përvojë, por jam ende i ri dhe dua të vazhdoj të mësoj dhe të përmirësohem”, tha Dejvis.