
Mersim Zeqiri mëson emrin e kundërshtarit në sfidën e vlevshme për titujt “UBO” e “UBF”
Gregorio Dominguez nga Venezuela do të jetë kundërshtar i boksierit shqiptar, Mersim Zeqiri i cili do të luftoj për dy titujt internacional, “UBO” e “UBF”, sfidë e cila do të zhvillohet me 20 korrik 2024 në Garana të Maqedonisë së Veriut, nën organizim të promotorit Avdyl Salihu.
Sipas Salihut, kundërshtari është një boksier mjaft me përvojë, i cili ka një rekord prej 17 fitoreve, 3 barazimeve dhe ende nuk ka shijuar disfatën.
“Federata ‘UBO’ dhe ‘UBF’ ka aprovuar bokserin nga Venezuela, Dominguez që të jetë kundërshtar i Mersim Zeqirit. Kjo përballje për ne është historike, pasi po na jepet shansi pas vetëm një viti në boksin profesionist, të luftojmë për 2 tituj internacional,” tha mes tjerash Salihu.
Ai më tej shtoi se përgatitjet e Mersimit po vazhdojnë dhe të njëjtat zhvillohen në Zvicër dhe një pjesë do të jetë edhe në Shqipëri.
“Trajneri Enver Salihu po kujdeset rreth përgatitjeve të Mersimit dhe shumë shpejt do të udhëtohet edhe në Shqipëri ku do të vazhdojnë stërvitjet. Mersimi është i vetëdijshëm se për çfarë kundërshtari bëhet fjalë, prandaj ai po jep maksimumin në stërvitje. Ai ndjehet maksimalisht i motivuar që në Garana të ngre lart dy tituj për të shënuar, madje histori në këtë vend të bukur”, deklaroi Salihu.
Në këtë spektakël do të zhvillohet edhe 6 përballje të tjera të boksit profesionist, ku përveç Mersim Zeqirit, në ring do të ngjiten edhe Aleksander Kallashi e Viktor Cakiqi që vijnë nga Gjermania, si dhe bokseri nga SHBA, Xhon Gjini, të cilët ende nuk njohin shijën e disfatës.