Hagë: Sot shpallet aktgjykimi për Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të paraqitet sot, më 17 nëntor, para Gjykatës Speciale në Hagë, ku pritet të shpallet një tjetër aktgjykim ndaj tij. Ky rast ka të bëjë me akuza që mbrojtja i quan të pambështetura në prova dhe të gabuara nga ana juridike.
Shpallja e vendimit është caktuar për orën 10:00 nga gjykatësi Christopher Gosnell. Ai ka urdhëruar që në sallë të jenë të pranishëm të pesë të akuzuarit.
Bashkë me Thaçin, aktgjykimin do ta dëgjojnë edhe Bashkim Smakaj, ish-drejtor i AKI-së, Isni Kilaj, ish-kryetar i Komunës së Malishevës, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Bisedat në paraburgim, pika kryesore e mosmarrëveshjes
Mosmarrëveshja kryesore mes palëve ka të bëjë me bisedat e incizuara gjatë vizitave që Thaçi ka pritur në paraburgim. Palët nuk pajtohen se çfarë është thënë në to, kush i ka thënë dhe çfarë dëshmojnë.
Për Prokurorinë, këto incizime tregojnë se është tentuar të ndikohet te dëshmitarët. Mbrojtja e Thaçit e kundërshton këtë lexim, por vë në dyshim edhe saktësinë e transkripteve.
Në parashtresën përfundimtare, avokatët e ish-presidentit pohojnë se hetimet nuk kanë nxjerrë asnjë provë se dikush ka kontaktuar dëshmitarët në mënyrë të papërshtatshme në emër të Thaçit. Sipas tyre, disa pjesë të incizimeve nuk kuptoheshin. Ata shtojnë se transkriptet i ka bërë personeli i Prokurorisë, prandaj mund të jenë ndikuar nga ajo që hetuesit prisnin të dëgjonin.
Mbrojtja kundërshton gjithashtu që disa informacione janë trajtuar si konfidenciale. Sipas saj, ato ishin tashmë publike ose ishin kujtime të përbashkëta të Thaçit me vizitorët e tij. Avokatët argumentojnë edhe se dispozitat penale janë interpretuar më gjerë sesa i zbatojnë gjykatat e Kosovës. Gjykata ende nuk ka dhënë vlerësimin e saj përfundimtar për këto pretendime.
Ekspertja: transkriptet kanë besueshmëri të ulët
Mbrojtja thirri si dëshmitare eksperten Helen Fraser për çështjen e transkriptimit. Sipas saj, transkriptet kanë besueshmëri të ulët. Megjithatë, ajo tha se nuk mund të pohonte që ato janë të pasakta. Ajo pranoi edhe se është e kufizuar sepse nuk e njeh gjuhën shqipe. Kritika e saj kishte të bënte kryesisht me metodën e punës dhe me mungesën e garancive të mjaftueshme për saktësinë e materialit.
Prokuroria nuk pajtohet me këtë vlerësim. Ajo mbështetet te vetë incizimet, te dokumentet që sipas saj i vërtetojnë ato dhe te verifikimet e bëra nga njësia gjuhësore e gjykatës.
Në fjalën përmbyllëse, prokurori Joshua Hafetz përmendi rreth 28 orë biseda. Ato janë incizuar gjatë nëntë vizitave në një periudhë katërmujore.