Mesfushorët më të mirë në Seria A, dominon sërish Interi
Një nga pikat më të forta të Interit është mesfusha dhe kjo u konfirmua në çdo ndeshje, qoftë kjo në Itali apo Europë. Jo më kot Inzagi nuk heq dorë thuajse asnjëherë nga treshja e tij Çalhanoglu-Barela-Mikhitarian edhe pse ka një stol të pasur me Fratezin, Asllanin, Sensin e Klasen. Gjithsesi, ndërkohë që fusha ka treguar vlerën e mesfushorëve zikaltër, nuk ka vonuar që kjo vlerë të përkthehet në numra dhe konkretisht në çmimin e tyre momental.
“Transfermarkt.it” ka renditur 10 mesfushorët më të shtrenjtë të Serisë A, e jo më kot tre janë zikaltër me dy prej tyre që mbajnë dy vendet e para. Bëhet fjalë për Nikolo Barelën (75 milion euro) dhe Hakan Çalhanoglunë (40 milionë), por turku e ndan pozitën e tij edhe me homologun bergamask Kompeiners (40 milionë) dhe atë bardhezi Rabio (40 milionë).
Në 10 vendet e më të shtrenjtëve të repartit është edhe Davide Fratezi (30 milionë), blerja e verës që ka treguar se ka shumë për të dhënë. Lokateli (33 milionë), është përfaqësuesi tjetër i Juventusit përveç Rabiosë, ndërsa Ismael Benaser (35 milionë) mban lart flamurin e Milanit.
Vendet e tjera u përkasin lojtarëve të Napolit, Lobotka e Zielinski, por ndërsa ky i fundit është objektiv i deklaruar i Interit për verën, lista e vitit të ardhshëm pritet të jetë edhe më shumë zikaltër.