Mexhiti: Nuk ka rëndësi me çfarë bandenteri miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë
Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti nuk e cilëson si problematik faktin që propozim ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të miratohet me të ashtuquajturin “badenter të vogël”. Ai tha se ka pak rëndësi kjo por se, ajo që është e rëndësishme është se, VLEN-i po e realizon për dy vjet atë që përfaqësuesit e mëparshëm shqiptar në qeveri nuk kanë mundur ta realizojnë për 24 vite. Ai tha se reagimet e BDI-së mbi këtë janë thjeshtë teatër.
Izet Mexhiti, Bashkëkryetar i VLEN-it
“Prej viti 2002 deri në vitin 2016 nuk ka pasur as ligj as balancues dhe nuk ka qenë problem. Tash për herë të parë pas 24 viteve VLEN-i po e ngrit këtë çështje e cila është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, por për herë të parë do të ketë ligj, për herë të parë do të merret qeveria e Maqedonisë me përfaqësimin adekuat. Kjo pikë. Tjetra është vetëm teatër sepse, nuk mund ta paramendojnë që atë që s’kanë mundur ta bëjnë për 24 vite VLEN-i po e bën për 24 muaj”.
Kujtojmë se, Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, javën që lëmë pas,miratoi propozimin që Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të miratohet me të ashtuquajturin “Badenter të vogël”. Sipas sqarimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski, kjo nënkupton që, ligji do të votohet me shumicë nga deputetët prezent të cilët nuk janë pjesën e bashkësisë etnike shumicë
Ndërkaq, propozim ligji për përfaqësim të drejtë vjen pas shfuqizimit të mekanizmit të “Balancuesit”, që për vite është përdorur gjatë punësimeve në sektorin publik. Ligji ndodhet në lexim të parë me procedurë të rregullt.
Anida Murati /SHENJA/