Mexhiti: Vazhdojmë me përmirësimin e infrastrukturës në Sahat Kullë, asfaltohet rruga “Remzi Hoxha”
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ka qëndruar në lagjen Sahat Kullë, ku ka inspektuar nga afër punimet për asfaltimin e një pjese të rrugës “Remzi Hoxha”, në një sipërfaqe prej 850 metrash katrorë.
Asfaltimi vjen si pjesë e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë të Çairit. Sipas komunës, paraprakisht të gjitha objektet në këtë pjesë të lagjes janë lidhur me sistemin e ri të ujësjellësit, ndërsa paralelisht po zhvillohet edhe çaktivizimi i rrjetit të vjetër.
“Sot po asfaltojmë një pjesë prej 850 m² të rrugës ‘Remzi Hoxha’, pasi paraprakisht të gjitha objektet i kemi lidhur me sistemin e ri të ujësjellësit. Pas përfundimit të këtyre punimeve vazhdojmë me asfaltimin dhe rregullimin e rrugëve të tjera në lagje. Sot ‘Remzi Hoxha’, nesër rrugët e tjera, në gjithë Çairin”, deklaroi Mexhiti.
Nga Komuna e Çairit bëjnë të ditur se punimet infrastrukturore do të vazhdojnë edhe në rrugët e tjera të lagjes Sahat Kullë, me synim përmirësimin e infrastrukturës publike dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët.