Mickoski: Aktiviteti i fuqishëm ekonomik në tremujorin e dytë është konfirmim për politikat e Qeverisë
Në tremujorin e dytë kemi aktivitet jashtëzakonisht të lartë ekonomik dhe PBB të rritur prej 4,3 për qind, që është konfirmim për politikat e Qeverisë, vlerësoi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Kjo, sipas tij, është edhe një lajm i keq për opozitën, e cila, siç tha, “përsëri shpreh keqardhje që Maqedonia po ec përpara, e nuk është tërhequr në moçalin e tyre të gënjeshtrave, shpifjeve dhe konstruksioneve.
Mickoski porositi se vendi do të vazhdojë të ecë përpara. Nuk është e lehtë, thotë ai, jo të gjitha problemet janë zgjidhur, sepse shumë janë trashëguar, por është me rëndësi të punojmë dhe të përpiqemi të zgjidhim gjithçka që është trashëguar, e jo të krijojmë probleme të reja. Rezultatet pas 25-26 muajsh po dalin në pah, kemi rritje të prodhimit industrial, inflacion të stabilizuar.
Sipas Mickoskit, rritja e arritur në gjysmën e parë të vitit është ndër më të fortat në Evropë dhe është e vazhdueshme në kushtet kur tek partneri ynë më i madh tregtar – Bashkimi Evropian dhe vendet e eurozonës është 1,2 për qind, respektivisht një për qind.
Kur rritjes prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë i shtohet rritja në tremujorin e parë prej 3,1 për qind, tha ai, kjo jep afërsisht 3,7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, që është një nga më të fuqishmet në Evropë.
“Përsëri u bëj thirrje atyre në rrjetet sociale të fillojnë të më përqeshin, por unë do të qëndroj në qëndrimin tim se kjo është një nga katër rritjet më të mëdha të PBB-së, edhe në gjysmën e parë të vitit ashtu edhe në tremujorin e dytë, në kushte kur kemi rritje prej 3,5 për qind për të njëjtin tremujor në vitin 2025. Sllovenia ka rritje prej 3,8 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, por 0,7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2025. Para nesh edhe janë Malta dhe Danimarka. I bëj thirrje edhe një herë opozitës, me moçalet e tyre politike të fillojnë përsëri të bëjnë rilsa dhe të më përqeshin, por këto janë faktet, për fat të keq, ata nuk mund t’i mohojnë faktet”, tha Mickoski.
Do të vazhdojmë, shtoi ai, edhe më tutje, e mbyllëm vitin 2024 me rritje të PBB-së prej tre për qind, me çka kemi hyrë në gjysmën e parë të vendeve në Evropë, vitin 2025 me 3,5 për qind, tani në gjysmën e parë të vitit jemi në 3,7 për qind.
“Kemi rritje të vazhdueshme në kushte kur partneri ynë më i madh tregtar – Bashkimi Evropian dhe vendet e eurozonës kanë gjithsej 1,2 për qind, respektivisht një për qind. Nëse e shikoni rritjen e PBB-së në periudhën 2006-2008, kemi rritje prej pesë për qind, por pastaj BE-ja dhe eurozona po rriten me kaq ose më shumë, gjë që në vetvete flet për politikat e kësaj qeverie, që është një tjetër lajm i keq për opozitën në Maqedoni”, tha kryeministri Mickoski.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, në tremujorin e dytë të vitit 2026, rritje më e madhe u regjistrua në sektorin Ndërtimtari me 21,9 për qind dhe nga 5,1 për qind në sektorët Art, argëtim dhe rekreacion; Veprimtari tjera shërbyese; Veprimtari të amvisërive si punëdhënës; Veprimtari të amvisërive që prodhojnë mallra të ndryshme dhe kryejnë shërbime të ndryshme për nevojat e tyre.
Konsumi përfundimtar në tremujorin e dytë të vitit 2026 u rrit nominalisht për 7,0 për qind, ndërsa pjesëmarrja në strukturën e produktit të brendshëm bruto ishte 83,2 për qind.
Investimet bruto në tremujorin e dytë të vitit 2026 u rritën nominalisht për 14,5 për qind, si rezultat të rritjes së investimeve bruto në mjete themelore.
Sipas të dhënave të rregulluara sezonale dhe kalendarike, shkalla e rritjes së produktit të brendshëm bruto në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, është 4,0 për qind.
