Mikel Arteta akuzon: Turp ajo që ndodhi me sistemin “VAR”
Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta tha se ishte një “turp” që VAR nuk ishte mjaft i qartë për të përcaktuar nëse goli i parë i Uest Ham në fitoren e tyre 2-0 ndaj “Topçinjve” duhej të ishte anulluar apo jo.
Tomas Souçek shënoi nga afër pas krosimit të Xharod Bouen nga e majta në minutën e 13, për t’i dhënë epërsinë “hammers”. Gjithsesi, ishte e paqartë nëse topi kishte dalë jashtë loje apo jo.
“Unë nuk e kam parë atë pamje, por e vetmja gjë që zyrtarët thanë se imazhi nuk ishte përfundimtar dhe i qartë as për ta”, tha Arteta, i nevrikosur me gjyqtarëte VAR për mënyrën se si rrodhën ngjarjet.
“Është vërtetë një turp që teknologjia që kemi nuk është aq e qartë sa të mund të themi nëse topi ishte në loje apo jo. Tashmë gjithçka ka përfunduar dhe nuk mund të bëjmë asgjë për këtë tani”, tha Arteta.
Duke iu rikthyer ndeshjes, trajneri i Arsenal reagoi ashpër.
“Pra, ajo që duhet të bëjmë është të fitojmë më tej pa këto incidente të VAR. Të fitojmë ndeshjet e tjera edhe me situatat që mund të na dalin kundër. Statistikat flasin qartë për dominimin tonë. Arsenali kishte 30 goditje në portë dhe 77 prekje në zonën e West Ham, por nuk arritëm të shënonim. Kjo është një situatë e vështirë për t’u pranuar”, tha Arteta.