Minesota vijon të jetë befasia më e madhe në NBA
Skuadra e Minesota-s vijon të jetë surpriza e këtij sezoni në NBA, duke udhëhequr renditjen në Konferencën e Perëndimit. Ai bëhet ekipi i parë që arrin 30 fitore në këtë kah të kampionatit, duke mundur 118-103 Memfis Grizli.
Të gjithë titullarët e Minesota-s realizuan mbi 10 pikë, ku Eduards me 28 pikë ishte më i miri, duke i bërë të pavlefshme 36 pikët e Xheksonit për Memfisin. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për Minesotën, që shkëputet me dy fitore para vendit të dytë.
Pikërisht në vendin e dytë ndodhet Oklahoma Siti, që fitoi 134-129 në fushën e Juta Xhazit. Aleksander Shai ishte më i miri për miqtë me 31 pikë, i mbështetur nga Uiliams me 27 pikë, që dominuan kryesisht në periodën e parë dhe më pas menaxhuan avantazhin.
Ndërkohë në Lindje, skuadra e Çikago Bulls mposhti 116-110 kanadezët e Toronto Raptors, ndeshje ku diferencën e bënë Vuçeviç dhe DeRozan, me nga 24 pikë secili.