Moti në RMV dhe Evropë, përballje me valë vdekjeprurëse të të nxehtit
Maqedonia e Veriut sot hyn në një valë të re të temperaturave të larta, ndërsa sinoptikanët paralajmërojnë një ditë të vërtetë tropikale, me vapë që në disa vende do të arrijë deri në 37 gradë Celsius. Masa e ngrohtë ajrore, e cila po lëviz nga Evropa Perëndimore drejt Ballkanit, do të përfshijë të gjithë rajonin, duke sjellë mot dukshëm më të ngrohtë. Për shkak të temperaturave të larta që priten, autoritetet kanë aktivizuar alarmin meteorologjik portokalli dhe të verdhë, duke paralajmëruar për rreziqe të mundshme, veçanërisht për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata që punojnë në ambiente të hapura. Mjekët rekomandojnë që qytetarët të shmangin qëndrimin e zgjatur në diell gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe t’u përmbahen rekomandimeve për mbrojtje nga temperaturat e larta.
Vala e jashtëzakonshme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën prej disa ditësh po zhvendoset drejt lindjes së kontinentit. Pas rekordeve historike të regjistruara në Britaninë e Madhe, Francë, Spanjë dhe Zvicër, alarmi është zhvendosur tashmë në vendet e Evropës Lindore, ku priten temperatura edhe më të larta gjatë fundjavës.
Franca po përjeton një valë të fortë të të nxehtit që ka vënë pjesën më të madhe të vendit në gatishmëri të lartë, ndërsa autoritetet raportojnë një rritje të ndjeshme të rasteve fatale nga mbytjet në ujë. Sipas qeverisë franceze, numri i viktimave nga mbytjet ka arritur në 55 që nga fillimi i valës së të nxehtit.
Në Spanjë, sistemi kombëtar i monitorimit të vdekshmërisë MoMo vlerëson se 212 vdekje të regjistruara mes së dielës dhe së mërkurës mund të lidhen me temperaturat ekstreme.
Edhe në Itali mediat raportuan disa viktima, përfshirë dy punëtorë bujqësie dhe një punëtor ndërtimi që humbën jetën si pasojë e vapës.
Edhe Gjermania po përballet me kulmin e një vale të të nxehtit, ndërsa meteorologët për sot parashikojnë temperatura deri në 39 gradë Celsius, ndërsa gjatë fundjavës në disa pjesë të vendit ato mund të kalojnë 41 gradë. Shërbimi meteorologjik i atjeshëm paralajmëron se janë të mundshme rekorde të reja të temperaturave për qershorin dhe madje edhe historike./SHENJA/