
Muharrem Salihu: Adresat duhet të kthehen – të drejtat nuk janë çështje simbolike, as retorike
AA
Përmes një reagimi të qartë dhe të drejtpërdrejtë në Facebook, aktivisti dhe opinionisti Muharrem Salihu ka vënë theksin mbi domosdoshmërinë e rikthimit të adresave të pasivizuara të shqiptarëve në jug të Serbisë, duke e cilësuar si thelbësore për garantimin e të drejtave qytetare.
Deklarata e Salihut vjen në kohën kur deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar një rezolutë për të drejtat e shqiptarëve. Salihu thotë se e vlerëson çdo nismë që adreson diskriminimin ndaj shqiptarëve, përfshirë edhe këtë rezolutë, por thekson se nuk mjaftojnë fjalët e përgjithshme apo retorika.
“Të drejtat nuk janë çështje simbolike, as retorike. Nuk mund të ketë të drejta pa njerëz,” – shprehet ai.
Sipas tij, çështja e pasivizimit të adresave përbën një veprim administrativ perfid që po shndërrohet në një formë të spastrimit të heshtur etnik, veçanërisht në Medvegjë, duke ndikuar në ndryshimin e strukturës etnike në jug të Serbisë me ritme të shpejta.
Salihu kërkon që çdo tekst zyrtar që pretendon të adresojë pozitën e shqiptarëve në Serbi të shprehë qartë rikthimin e adresave, së bashku me të gjitha të drejtat qytetare, politike dhe sociale që u janë mohuar mijëra shqiptarëve.
“Po kërkojmë të drejta për ata që nuk janë më të pranishëm në letër – një absurditet në vetvete,” thekson ai.
Ai kritikon edhe heshtjen shumëvjeçare institucionale dhe politike mbi këtë çështje, duke i bërë thirrje të gjithëve që ta trajtojnë me ndershmëri dhe përgjegjësi këtë padrejtësi.
“E ardhmja e shqiptarëve në Serbi nuk do të ndërtohet mbi harresë apo retorikë – por mbi drejtësi, rikthim të të drejtave të mohuara, dhe mbi një kujtesë që nuk pranon të fshihet,” përfundon Salihu.
Ky reagim vjen në një moment kyç për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa kërkesat për rikthimin e të drejtave dhe ndërprerjen e pasivizimit po shtohen nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.