Nadal ndjen shqetësime: Nuk e di nëse jam gati për Australian Open
Rafael Nadal e mbylli turneun e Brisbejn në Australi në fazën çerekfinale, teksa u eliminua përballë tenistit vendas, Xhordan Tompson. Ky i fundit triumfoi pas tre seteve (5-7, 7-6 dhe 6-3) dhe pas tre orë e 24 minuta ndeshje. Një sfidë mjaft e gjatë dhe e lodhshme për Nadal që iu desh të kërkonte edhe ndihmën mjekësore pasi sërish ndjeu shqetësim në ijen e operuar muajt e fundit. 37-vjeçari u shpreh se bëhet fjalë për një lodhje muskulore dhe jo një dëmtim të mirëfilltë, megjithatë dyshimet shtohen për prezencën e tij në Grand Slam-in e parë të vitit, “Australian Open”.
“Shpresoj që gjatë javës së ardhshme të kem mundësi të stërvitem dhe të marr pjesë në “Australian Open”. Por, të them të drejtën tani për tani nuk ka asgjë të sigurt, nuk mund të flas me 100% pasi nuk i dihet. Ndjej dhimbje në të njëjtin vend ku kam pasur shqetësimet e fundit, por besoj se bëhet fjalë për thjesht një lodhje muskulore. Sezonin e kaluar ishte një dëmtim i mirëfilltë dhe dhimbja ishte shumë më e fortë. Problemi është se duke qenë sërish në të njëjtin vend të shkakton edhe pak frikë. E përsëris shpresoj të bëhet fjalë për një mbingarkesë, kjo do të ishte normale pas një periudhe të gjatë pa luajtur. Nuk erdha këtu për ta fituar turneun, por për rifituar pak nga gjendja fizike. Shpresoj që testet të dalin mirë dhe të vazhdoj me punën për të arritur në formën maksimale”, u shpreh Nadal.
“Australian Open” starton më datë 14 janar, teksa në këtë kompeticion, Rafael Nadal ka mundur të triumfojë në dy raste, në vitin 2009 dhe vitin 2022.