Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të fillojë më 26 gusht
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se në periudhën vijuese vendi do të hyjë në një të aktivitetet të përforcuar ndërtimor, duke vendosur theksin te autostradat me rëndësi strategjike. Këtu, ai përmendi autostradën Shkup – Bllacë, për të cilën tha se përfundimisht janë përmbushur kushtet për fillimin e punimeve. Sipas paralajmërimeve të Mickoskit, punimet për këtë projekt që premtohet për më tepër se një dekadë, do të fillojnë kah fundi i muajit gusht, përkatësisht pritjet janë që ndërtimi të fillojë më 26 gusht, pasi siç tha kryeministri, kanë përfunduar të gjitha procedurat formale.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Përfundimisht, për këtë projekt dhjetëvjeçar, i cili ishte paralajmëruar, kemi kontraktorin, që është një kompani vendase, kemi mbikëqyrjen dhe janë plotësuar të gjitha kushtet për të filluar ndërtimin e kësaj autostrade. Në shtator pres që të fillojë edhe një tjetër autostradë, bëhet fjalë për segmentin Bukojçan–Kërçovë, ndërsa me dinamikë të shtuar të përfundojmë autostradën Kërçovë–Ohër. Pres që segmenti nga Izvori deri në Vërbjan të hapet në gjysmën e dytë të tetorit, ndërsa i gjithë segmenti të përfundojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, 2027”.
Kryeministri theksoi gjithashtu se me dinamikë të shtuar po vazhdojnë aktivitetet ndërtimore në tre segmentet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d – Prilep–Manastir, Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Në përgjithësi, do të ndërtohen rreth gjashtë segmente autostrade, dhe kjo është gjithashtu një aktivitet i madh dhe i shtuar ndërtimor. Kur kësaj t’i shtohet edhe hekurudha, seksioni 2, i cili praktikisht është pjesë e Korridorit 8 (krahu lindor), si dhe seksioni 3, për të cilin pres që së shpejti të shpallet thirrja publike, pasi të gjitha sfidat administrative janë tejkaluar, kjo do të thotë se do të kemi vërtet një ndërtim intensiv. Dhe nëse gjithçka shkon siç duhet, pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, në fillim të vitit të ardhshëm të nisë edhe Korridori 10, natyrisht nëse zgjidhen të gjitha sfidat që kemi”.
Kujtojmë se, marrëveshja për grant në vlerë prej 30,8 milionë eurosh ndërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të financojë ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, u nënshkrua në korrik të këtij viti. Autostrada do të ketë nëntë ura 11 nënkalime, katër galeri dhe nëntë mure mbajtëse.
Teuta Buçi /SHENJA/
