
Në Shkup u themelua Instituti për Zhvillim Ekonomik dhe Politik, nismë për ndryshim në mendësinë ekonomike dhe politike
AA
Në Shkup u themelua Instituti për Zhvillim Ekonomik dhe Politik, nismë e profesorit Bashkim Selmani. Ai tha se motivimi kryesor për hapjen e institutit kanë qenë studentët ekselentë që kanë mbetur pa punë, ndërsa synimi është të sjellë ndryshim në mendësinë ekonomike dhe politike të vendit, ku përparësi do t’u jepet personave të aftë dhe të përgatitur profesionalisht.
Selmani theksoi se instituti do të ndihmojë viktimat e sistemit dhe se do të kërkohet përgjegjësi me emër dhe mbiemër për ata që i kanë shkaktuar dëme dhe varfëri shtetit.
“Konceptin e lirisë së vërtetë mund ta analizojmë përmes zgjedhjeve dhe kushteve të ekzistencës së sistemit të demokracisë. Ajo që thuhet më rrallë është se idetë e gabuara të jetësimit të të drejtave ekonomike kombëtare, pa element bashkëbarazie, bashkëmendimi, bashkëbarazie kushtetuese, që janë elemente bazë për jetën e qytetarit, nuk mund të kemi demokraci funksionale. Aty ku nuk ka demokraci funksionale, duhet të vinë në shprehje vlerat shkencore, inteligjenca kombëtare dhe atdhedashuria. Mbase janë më të mëdha, deri në varfëri dhe shpopullim. Shikuar në këtë prizëm, nëse njerëzit e ditur dhe të përgatitur profesionalisht nuk vijnë në shprehje, atëherë demokracia dhe kombi nuk kanë nevojë për armiq ndërsa aktorët që luajnë rolin e të pabarabartëve, në mesin e të pabarabartëve, kur humbet aftësia e merituar e të mirave publike dhe zëvendësohen me barazi aritmetike, drejtësia mbetet një koncept abstrakt”, tha Bashkim Selmani, Profesor.
Një nga iniciatorët për hapjen e këtij Instituti, veprimtari nga SHBA, Nazim Alimi që njëherit është edhe anëtar i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të Joe DioGuardit theksoi se kjo ide ka qenë e kahmotshme për të mbështetur nisma kombëtare për drejtësi, zhvillim ekonomik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai në fjalën e tij përshëndeti fillimin e punës së Institutit dhe angazhimin e gjithë intelektualëve në këtë nismë që do të udhëhiqet nga prof.dr. Bashkim Selmani.
“Ky institut le të shërbej për arritjen e barazisë në çdo sferë të shqiptarëve, me kuadro të përgatitura dhe projekte. Instituti të shërbej edhe si institucion edukativ, por edhe zhvillimor në ekonomi dhe politikë, sepse shqiptarët kanë nevojë. Para se të vij këndej në Maqedoninë e Veriut, kisha një takim me vëllaun tonë të madh Joe DioGuardi, i cili përshëndeti këtë projekt dhe tha se Amerikën si vend mik dhe mbështetës e kemi mbrapa dhe nuk duhet kurrë të harrojmë përkrahjen e tyre në kohërat më të vështira për ne si komb. E kemi për detyrë që të bashkërendojmë proceset në vazhdim”, theksoi Nazim Alimi, kërçovari që jeton dhe vepron në SHBA. (INA)