Një “përbindësh” me sulmin më të frikshëm në botë
Gavi, Pedri, Balde, Rafinja… të gjithë te Barcelona janë shprehur se kjo skuadër mund t’i shkojë deri në fund të gjitha kompeticioneve, pas fitores 3-1 ndaj Benfikës në 1/8-tat e finaleve në Ligën e Kampionëve. Një qëndrim unikë që e ka një bazë. Ajo është te forca e jashtëzakonshme sulmuese e Barcelonës. Për momentin nuk ka asnjë treshe sulmuese kaq shkatërruese dhe efektive sa ajo e Barcelonës. Asnjë ekip nuk mund të krahasohet me numrat e Robert Levandovskit, Rafinjës dhe Lamine Jamal.
Shifra që vijojnë të rriten pas çdo ndeshjeje, siç u evidentua edhe të martën ndaj Benfikës me tre gola dhe një asistim më shumë: dy gola nga Rafinja, një nga Jamal dhe një asist nga ky i fundit. Lojtari që e bëri “pushim” këtë herë, ishte Levandovski.
Mes tyre, tre sulmuesit e Barcelonës kanë shënuar 73 gola dhe kanë asistuar në 39 raste në këtë sezon! Nuk ka asnjë treshe tjetër sulmuesish që u afrohet këtyre shifrave.
Për të dhënë një shembull, treshja e Realit të Madridit, e përbërë nga Mbape, Vinicius dhe Rodrigo, duhet të “kënaqet” me 61 gola dhe 23 asistime, ose 12 gola më pak dhe 16 asistime më pak se treshja e rivalëve historikë.
Në fakt, nga të tre, vetëm Vinicius ka shifra të dyfishta në gola dhe asistime, përkatësisht 19 dhe 11, ndërsa dy të tjerët janë më egoistë në këtë kuptim: Mbape (28 gola dhe 5 asistime) dhe Rodrigo (14 gola dhe 7 asistime).
Të tre sulmuesit e Barcelonës kanë ndarë mes tyre 58% të golave të shënuar në këtë sezon nga Barcelona (125), një shifër që e bën shumë të qartë rëndësinë e lojës sulmuese në filozofinë e Hansi Flik.