
Një vit suksesi për Doganat – Themel për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe integrim evropian
Zv.Drejtori Doganës Mustafa Dauti Deklaroi se gjatë një viti pune të përkushtuar dhe me vizion të qartë reformues, Drejtoria e Doganave ka vendosur themelet për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një integrim të përshpejtuar në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Rezultatet e arritura janë fryt i një pune kolektive dhe qasjeje strategjike të të gjitha strukturave doganore në të gjithë vendin.
Në aspektin fiskal, kemi arritur të mbledhim mbi 2 miliardë euro të ardhura për buxhetin e shtetit – një rritje prej 105 milionë eurosh më shumë se vitin e kaluar. Kjo është dëshmi e qartë e efikasitetit në administrimin e të ardhurave dhe kontrollit më të mirë të qarkullimit të mallrave.
Përmes angazhimit të Sektorit për Kontroll dhe Hetime, gjatë kësaj periudhe janë dorëzuar 181 kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Në total, janë identifikuar dhe çmontuar mbi 520 raste të aktivitetit kriminal, përfshirë raste të kontrabandës dhe evazionit fiskal. Ky është një tregues i qartë i vendosmërisë sonë për të luftuar paligjshmërinë dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg.
Paralelisht, janë ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës ligjore dhe teknologjike. Është përgatitur Ligji i Ri Doganor, ndërsa aktualisht janë në zbatim projekte strategjike në vlerë prej 24.4 milionë euro, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm efikasitetin dhe transparencën e shërbimeve tona. Këto iniciativa janë në përputhje me standardet dhe kërkesat e BE-së, duke e afruar vendin më pranë integrimit të plotë evropian.
Në ceremoninë vjetore të mbajtur së fundmi, ku morën pjesë edhe Kryeministri Hristijan Mickoski dhe Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, u vlerësuan të gjitha përpjekjet e Drejtorisë së Doganave për modernizimin e administratës doganore. Në shenjë mirënjohjeje, pata nderin që në emër të institucionit t’i dorëzoj Kryeministrit një Plaketë Nderi për mbështetjen e tij të vazhdueshme.
Ky vit ka qenë një pikë kthese për Doganat – jo vetëm për nga rezultatet, por edhe për nga mënyra se si po ndërtojmë një institucion të besueshëm, të drejtë dhe të hapur ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Do të vazhdojmë me përkushtim, sepse për ne, çdo përmirësim në shërbim është një hap më afër zhvillimit ekonomik dhe integrimit të plotë në familjen evropiane.