Nuk është mirë të përdorni xhenxhefil në baza ditore dhe kjo vlen veçanërisht për disa grupe njerëzish
Xhenxhefili nuk rekomandohet nëse jeni duke marrë ilaçe kundër mpiksjes, keni gurë në tëmth ose sëmundje të veshkave, ai ‘përplaset’ me disa ilaçe kundër hipertensionit dhe mund të vështirësojë kontrollin e sheqerit në gjak
Edhe pse shquhet si një erëz që ka shumë veti pozitive, sërish nuk është mirë ta përdorni xhenxhefilin shumë shpesh, sidomos jo çdo ditë. Kjo vlen veçanërisht për disa grupe njerëzish që kanë probleme të caktuara shëndetësore, në të cilat përdorimi i xhenxhefilit mund të ketë kundërindikacione, veçanërisht nëse përdoret në tinktura ose ilaçe në të cilat pjesa e tij është shumë e përqendruar.
– Mund të themi se te personat më të rinj dhe të shëndetshëm që nuk kanë ndonjë sëmundje kronike, p.sh. deri në moshën 35 ose 40 vjeç, konsumimi më i shpeshtë i xhenxhefilit zakonisht nuk do të jetë i rrezikshëm ose do të ketë pasoja negative, por te njerëzit më të vjetër se kaq, mosha që shpesh tashmë ka një diagnozë, sigurisht që duhet kujdes, sepse efekti i tij në disa raste mund të jetë shumë i dëmshëm, transmeton Telegrafi.
Për shembull, xhenxhefili nxit hollimin e gjakut, gjë që mund të jetë i rrezikshëm për njerëzit që marrin ilaçe kundër mpiksjes, pasi mund të shkaktojë gjakderdhje. Kjo është arsyeja pse edhe gratë shtatzëna këshillohen ta përdorin me kujdes dhe në sasi shumë të vogla kur duhet të ndihmojnë veten me të vjellat e mëngjesit.
Gjithashtu, xhenxhefili “përplaset” me disa lloje të barnave antihipertensive dhe duke qenë se funksionon edhe në uljen e sheqerit në gjak, tek diabetikët që përdorin ilaçe ose insulinë, mund të vështirësojë kontrollin e sheqerit në gjak dhe të çojë në hipoglicemi. Nëse e rregulloni sheqerin vetëm nëpërmjet dietës, ndikimi mund të mos jetë aq i madh, por nuk duhet të ekzagjeroni shtimin e xhenxhefilit.
– Duke qenë se xhenxhefili stimulon prodhimin e tëmthit, mund të shkaktojë probleme te personat që kanë gurë në tëmth dhe ka efekt negativ edhe nëse ka probleme me veshkat. Paralajmërime të ngjashme mund të vihen në dukje edhe për shumë bimë të tjera ose preparate bimore që ne shpesh i konsiderojmë si medicinale, ndaj para përdorimit të tyre është gjithmonë e rëndësishme të konsultoheni me mjekun, dietologun ose farmacistin për komplikacionet e mundshme nëse tashmë keni disa probleme shëndetësore ose jeni duke përdorë medikamente për sëmundje kronike.
– Është mirë të konsultoheni me një ekspert, nëse kjo barishte apo preparate tjera janë të sigurta për ju dhe nëse ato mund të kenë një efekt pozitiv në shëndetin tuaj. Këto janë pyetje që duhen sqaruar gjithmonë përpara se të përdorni ndonjë preparat bimor. /Telegrafi/