
Ohran Ibrahimi kritikon ndarjen brenda VLEN: “107 mijë vota nuk u dhanë për sytë e bukur”
Ish-deputeti i PDSH-së, Ohran Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj përçarjes së koalicionit VLEN, duke shprehur zhgënjimin e tij për zhvillimet e fundit që, sipas tij, shkelin besimin e 107 mijë votuesve shqiptarë.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimi nënvizon se votat e shqiptarëve nuk u dhanë për “sytë e bukur” të liderëve të VLEN-it, por për një qëllim të qartë: largimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së nga pushteti.
“Ky bashkim premtoi se do ta mposhte të keqen, që e mira të triumfonte, e vërteta mbi mashtrimin. Së paku, kishin garantuar se do ta mbanin Alinë dhe BDI-në në opozitë për katër vite”, shkruan Ibrahimi.
Postimi i plotë i Ibrahimit:
107.000 vota shqiptare nuk u dhanë për shkak të syve të bukur të liderëve të VLEN-it!
Ky bashkim premtoi se do ta mposhte të keqen, që e mira të triumfonte mbi të keqen, e vërteta mbi mashtrimin dhe gënjeshtrën.
Së paku, kishin garantuar se do ta mbanin Alinë dhe BDI-në në opozitë për katër vite.
E tani, tani njëri prej liderëve ka vendosur të dalë i vetëm me lista për këshilltarë në zgjedhjet lokale, sepse mendon se do t’i fitojë “plus pesë këshilltarë” më shumë.
Dhe në këtë formë mbron amanetin e votuesit shqiptar anti-Ali dhe anti-BDI!
Ndërkohë, 107.000 votuesve shqiptarë u mban ligjërata psikoanalitike se si duhet ta kalojmë këtë periudhë: “me qetësi, me urtësi e me durim”!
Nuk e di, a jam emotiv, apo kam shumë vrer, dhe ndoshta më flet subkoshienca (ndërdija) kur po i shkruaj këto rreshta?