Opozita akuzon VLEN-in se ia mori 6 milionë euro bulevardit “Hasan Prishtina”
Partitë opozitare shqiptare edhe sot kritikojnë vendimin e Qytetit të Shkupit që mjetet e bulevardit “Hasan Prishtina”, të ridestinohen për rrugën nëntokësore në Bulevardin Jugor.
Ish zv/ministri i Transportit Bekim Rexhepi thotë se në vitin 2023, Ministria e Transportit dhe Qyteti i Shkupit formuan komision të përbashkët për hartimin e planit urbanistik. Shtoi se parashihej ndërtimi dhe zgjerimi i Bulevardit “Hasan Prishtina” dhe për këtë projekt u siguruan 6 milionë euro mjete të dedikuara. Por sot, u shpreh ai, Qeveria VMRO-DPMNE–VLEN i ka ridestinuar këto 6 milionë euro për një projekt tjetër – rrugën nëntokësore në Bulevardin Jugor.
Bekim Rexhepi, ish zv/ministër i Transportit
“Është e patolerueshme sepse sot në vend që të vazhdohet me projektin, të ndërtohet me projektin sepse mjetet janë të siguruara. Pse mjetet të tërhiqen…Mos të harrojmë është arterie kryesore që lidh një kufi dhe duhet që kjo Qeveri të kishte prioritet për të ndërtuar këtë akt rrugor sepse mund të themi lirisht se ky aks rrugor është lehtësim për qarkullim edhe për qytetarët e Shkupit, qytetarët e Tetovës, Sarajit”.
Ndërsa, Aleanca për Shqiptarët e kritikoi përgjigjen e VLEN-it, të dhënë për këtë tematikë.
Aleanca për Shqiptarët
“VLEN erdhi në pushtet duke premtuar rezultate. Tani po bëhet mburojë politike e vendimeve që i lënë projektet me rëndësi jetike për shqiptarët pa financim. Edhe më skandaloze është përgjigjja e tyre. Në vend të një afati, një projekti dhe një garancie konkrete për Bulevardin ‘Hasan Prishtina’, qytetarëve u serviren akuza ndaj të tjerëve. Qytetarëve nuk u duhen konferenca për shtyp”.
Një ditë më parë partia në pushtet VLEN, e pyeti BDI-në se përse kur i kanë pasur gati paratë dhe projektin nuk e kanë ndërtuar këtë rrugë më herët.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
