Osmani: Çairi do të ketë dy çerdhe të reja dhe kushte më të mira për çdo fëmijë
Me rastin e 5 tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Arsimit, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, mbajti një konferencë për shtyp kushtuar arsimit.
Si problem kryesor për gjendjen alarmante të arsimit në Çair, Osmani theksoi kapacitetet e kufizuara dhe gjendjen e rëndë të objekteve, veçanërisht për fëmijët e moshës parashkollore.
“Në Çair mungojnë çerdhet. Ato ekzistuese janë të mbingarkuara, prindërit detyrohen të blejnë vetë gjërat bazike për procesin parashkollor. Shkollat kanë llogari të bllokuara, huazohen mjete nga një shkollë në tjetrën, ndërsa tualetet janë në gjendje të mjerueshme. Këtë nuk mund ta lejojmë,” tha Osmani.
Në kuadër të programit të tij, Osmani paralajmëroi ndërtimin e dy çerdheve të reja sipas standardeve më të larta, të projektuara nga ekipi i arkitektit me famë botërore, Mishel Rojkind.
“Planifikojmë dy çerdhe të mëdha, ‘Borëbardha’ dhe ‘Vesëza’, me kushte moderne. Kam besueshmëri të flas për këtë, sepse tashmë kemi realizuar projektin për ndërtimin e çerdhes ‘Bambi’, të cilin e miratova si zëvendëskryeministër. Ashtu siç ndërtuam ‘Bambi’, do t’i ndërtojmë edhe këto dy çerdhe të reja dhe do t’i rinovojmë të gjitha ekzistueset,” deklaroi Osmani.
Ai shtoi edhe një mesazh personal për rëndësinë e krijimit të kushteve të mira në çerdhe, të cilin e ndau si prind.
“Kam një fëmijë të vogël që shkon në çerdhe, dhe nuk mund ta pranoj që në një shtrat të flenë dy apo tri fëmijë. Nuk mund të lejoj një standard të tillë për fëmijët tanë,” theksoi Osmani.
Osmani theksoi se arsimi është baza e dinjitetit dhe e së ardhmes së çdo shoqërie, ndërsa mësuesit janë heronjtë e vërtetë të saj.