Osmani e mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë së re
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Presidenca e Kosovës njoftoi në Facebook se Osmani e nënshkroi dekretin të shtunën për mandatimin e Kurtit, i cili është kryeministër në detyrë, për ta bërë Qeverinë e re.
Vendimi vjen pasi një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës u konstitua përfundimisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit nga pakica serbe.
“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti”, tha Presidenca.
Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
Por, ai do të ketë punë për t’i gjetur të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për mandatin e tretë në krye të Qeverisë, pasi partia e tij i fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit dhe deputete e partisë së Kurtit, tha të premten se LVV-ja është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për ta qeverisur vendin.
Sipas saj, LVV-ja është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.