Pak pasi policia ia arrestoi burrin, kunati kreu veprën – Policia jep detaje për rastin në Pejë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje. Viktima ishte shoqëruar në stacion policor, ku ishte intervistuar, ndërsa ishte arrestuar dhe intervistuar edhe bashkëshorti i saj, i cili ishte ndaluar për 48 orë.
Pas intervistimit, viktima, me vullnetin e saj, ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë.
Por, rreth orës 21:10, Policia është njoftuar se e njëjta ishte gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, personi i dyshuar për rastin e dytë, i cili dyshohet të jetë kunati i viktimës, ndodhet në arrati.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Policia ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe lokalizimin e arrestimin e të dyshuarit.