Paralajmërimi për protestë, Nikollovski: Po kërkojmë zgjidhje me vendet e zonës shengen
Pasi disa ditë më parë, Shoqatat e transportuesve nga Ballkani Perëndimor paralajmëruan se do të mund të nisin protestat nga 1 shtatori në rast se nuk do të arrijnë marrëveshje me Brukselin për kërkesat e tyre, sot në lidhje me këtë çështje ka folur ministri I Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikllovski, I cili tha se Qeveria ka komunikim të rregullt me shoqatat e transportuesve dhe se po kërkohen zgjidhje konkrete përmes bashkëpunimit bilateral me vendet e zonës Shengen.
ALEKSANDAR NIKOLLOVSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE
“Ne kemi takime të rregullta, nëse jo çdo javë, atëherë çdo dy javë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Kjo çështje është një nga qindra çështjet që po i zgjidhim. Sa i përket problemit që u krijua me futjen e sistemit ‘Entry/Exit’ të Bashkimit Evropian, ne po bëjmë maksimumin tonë dhe transportuesit kanë mbështetjen e plotë”.
Ai tha se çështja është në kompetencë të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen, por shtoi se shteti po ndërmerr hapa për tejkalimin e pasojave përmes lidhjes së marrëveshjeve bilaterale me vende të veçanta. Ai informoi se Maqedonia e Veriut, tashmë ka marrëveshje të tilla me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë, ndërsa intensivisht po punohet për marrëveshje me Austrinë, Hungarinë dhe Gjermaninë. Megjithatë, protestat e paralajmëruara, Nikollovski nuk i konsideron zgjidhjen më të mirë.
ALEKSANDAR NIKOLLOVSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE
“Mendoj se është më konstruktive të gjejmë zgjidhje dhe nuk mendoj se protestat janë zgjidhja. Sigurisht, ato janë forma e fundit, por ne gjatë periudhës së kaluar kemi gjetur zgjidhje dhe do të vazhdojmë t’i gjejmë”.
Kujtojmë se transportuesit nuk kërkojnë ndryshimin e marrëveshjes për qëndrimin në zonën Shengen, por kërkojnë zbatimin e njëtrajtshëm dhe konsekuent, sipas të cilit në Zonën SHENGEN mund të qëndrohet maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Samir Mustafa /SHENJA/
