Partitë nuk merren vesh, akuzojnë njëra -tjetrën për kodin zgjedhor
Ndryshimet në Kodin zgjedhor kanë hapur debat mes partive politike. Koordinatorja e grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari deklaroi se kanë dështuar bisedimet për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ajo tha se pas arritjes së konsensusit, VMRO-DPMNE-ja u tërhoq nga dy pika të rëndësishme. Ajdari tha se BDI mbetet në qëndrimin që vendi ka nevojë për një njësi zgjedhore, me lista të hapura dhe me prag zgjedhor prej 5% të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listë zgjedhore.
RINA AJDARI, DEPUTETE E BDI-SË
“Për ne, kjo është e papranueshme, sepse hap rrugën për inxhiniering politik dhe mbivotim, siç ndodhi në vitin 2024, kur anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, mbivotohej nga përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe VLEN-it. Këto kërkesa të reja të VMRO-DPMNE-së nuk ishin të pranueshme as për LSDM-në dhe as për Lidhjen Shqiptare, gjë të cilën përfaqësuesit e tyre e deklaruan edhe publikisht”.
Ndërkohë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë kundërshtuar edhe nga Lidhja Shqiptare. Kryetari i partisë, Ziadin Sela, bëri të ditur se deputetët e kësaj partie kanë dorëzuar amendamente dhe paralajmëruan se do të bllokojnë miratimin e Kodit Zgjedhor nëse diasporës nuk i mundësohet të votojë në zgjedhjet lokale, qoftë në mënyrë elektronike apo me postë. Sela akuzoi VMRO-DPMNE-në, BDI-në dhe VLEN-in se, sipas tij, janë pajtuar për ta përjashtuar diasporën nga zgjedhjet lokale, me qëllim që vota e mërgatës të mos ndikojë në rezultatet në komuna me rëndësi, si Kërçova, Bërvenica dhe Buteli.
ZIADIN SELA, KRYETAR I LIDHJES SHQIPTARE
“LSH është për lista të hapura, ke plot subjekte tjera poltike që në popull kanë dal dhe kanë premtuar poashtu 8 njësi zgjedhore, ndërsa LSH është për 8 njësi zgjedhore dhe pastaj në negociata VLEN-i pranon propozimet të cilat i bënë VMRO-ja, por fatkeqësishtë me këto propozime bashkangjitet edhe BDI-ja dhe keqardhje se si sa lehtë një parti që pretendon që është opozitare nënshkruan dhe përkrahë iden e VMRO-DPME-së”.
Nga ana tjetër, partia VLEN vlerëson se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të jenë pjesë e reformave që e afrojnë vendin me standardet evropiane dhe jo objekt për përplasje politike.
Bekim Qoku nga partia VLEN theksoi se partia mbështet çdo model që i mundëson diasporës të ushtrojë të drejtën e votës në mënyrë të sigurt dhe transparente, qoftë përmes votimit elektronik apo formave të tjera të besueshme. Sipas tij, mërgata nuk duhet të kujtohet vetëm për kontributin ekonomik, por duhet të jetë pjesë edhe e vendimmarrjes politike.
BEKIM QOKU, KOORDINATOR I DEPUTETËVE TË VLENIT
“Për VLEN-in ky është një ndër proceset më të rëndësishme në kuadër të Agjendës Reformuese dhe afrimit të vendit me standardet europiane. Që në takimin e liderëve, ne kërkuar që ky proces të mos kufizohet vetëm në çështjet teknike, por të trajtojë edhe tema që e zgjerojnë pjesmarrjen demorkatike të qytetarëve”.
Kujtojmë se ndryshimet në kodin zgjedhor LSDM-ja opozitare ka paralajmëruar bllokim me 10 mijë amendamente, ndërsa Levica me 3500.
Samir Mustafa /SHENJA/